GJILANI - DRITA

Pamje nga arkivi/ G. Haziri
Gjithçka baraz në superderbi
7 April, 2019 @21:58
Një fitore e Gjilanit në fillim të sezonit, pastaj një e Dritës në vazhdim, e ndeshja e tretë u krye baraz, 0-0.
Dueli i zhvilluar në Fadil Vokrri mblodhi afro 10 mijë shikues në përballje, pa dy kartona të kuq që në pjesën e parë të ndeshjes, edhe disa raste, por vetëm gola jo.
E më e bukura, u tregoi klubeve se çka do të thotë stadiumi i mirë. Edhe kjo ndeshje në televizion u duk bukur, derisa fusha dhe stadiumi ia shtuan shijen.
Gjilani mbeti me 10 lojtarë në fushë që në minutën e 16 të ndeshjes, kur Ansi Nika mori karton të kuq. Por, pjesën e parë me 10 lojtarë e përfundoi edhe Drita, kur Haxhi Neziraj u ndëshkua direkt me të kuqe.
Raste deri atëherë, nga Fiton Hajdari i Gjilanit dhe një krosim i rrezikshëm i Xhevdet Shabanit, që u ndalë nga portieri Kenan Haxhihamza.
Në pjesë të dytë me 10 lojtarë në fushë dhe me ndërrime nga të dyja taboret u veçua rasti i Betim Haxhimusës, pastaj Liridon Lecit e Kyrian Nwabuezes.
Ndërkohë, Florent Papuqi me tentimin e tij nga gjuajta e lirë, që shkoi mbi portë mund të llogaritet si më i rrezikshmi i të kuqve në pjesë të parë.
Dy skuadrat duken të mos kenë synimet e shuara për këtë sezon në Superligë, derisa në ndeshjen e radhës Drita pret Drenicën e Gjilani i shkon Llapit.