BALLKANI - FLAMURTARI

Foto: KFBallkani/fb
Pas 8 xhirosh, vjen fitorja e rëndësishme
7 April, 2019 @16:50
Jetike për Ballkanin ka qenë ndeshja e sotme dhe me lojën e treguar në fushë, ekipi i drejtuar nga Sami Sermaxhaj ka merituar plotësisht 3 pikët e fituara.
Me golat e shënuara në fillim të pjesës së dytë, Ballkani ka mposhtur Flamurtarin 2-0 për të marrë një tre pikësh që sado pak i çliron në Superligë.
Fitorja e Ballkanit ka ardhur pas 2 muajve. Suharekasit fitoren e fundit e shënuan në shkurt kur e kishin mposhtur KEK-un. Pas plotë 8 xhirove Ballkani i gëzohet tre pikëve.
E krejt këto i sollën Almir Ajzeraj kur shënoi në minutën e 48 të ndeshjes pas asistimit të Bajram Nebiut, si dhe Edvin Kuc, që shënoi 11 minuta më vonë për rezulatin përfundimtar.
Zëvendësimet e Arsim Thaçit në pjesë të dytë nuk sollën fryt, dhe Flamurtari u pajtua në fund me humbje, ndërsa tash e tutje është në rrezik të vërtetë për rënie nga Superliga.