ANDI LILA
Lila: “Gazetat mundohen të na përçajnë”
28 March, 2017 @22:05
Futbollisti i Shqipërisë, Andi Lila, pas humbjes me Bosnjën e Hercegovinën tha se skuadra e tij ka merituar fitoren, duke marrë parasysh lojën e treguar në fushë.
“Nuk jemi të lumtur me rezultatin. Me lojën e treguar, dëshmuam se kemi personalitet. Merituam që jo vetëm të barazonim, por edhe të shënojmë fitore. Treguam lojë të mirë. Duhet të vazhdojmë kështu me lojë të mirë dhe më pas të arrijmë edhe në rezultate pozitive,” tha Lila.
Më pas, ai foli edhe për situatën aktuale të krijuar në kombëtare dhe për situatën e tij personale në veçanti.
“Gjendja është shumë e mirë. Kemi harmoni të jashtëzakonshme. S’kemi asnjë problem. Ne jemi grup që duhet të jemi bashkë, si lojtarë, gazetarë, tifozë dhe gjithë të tjerët. Janë disa gazeta koti që duan të krijojnë përçarje, por këtë nuk do ta arrijnë ta bëjnë. Ne për shkak se ishim të bashkuar, arritëm të shkojmë në Francë për Europian dhe të tregojmë rezultate të mira atje. Shpresoj që përsëri në mënyrë të njëjtë, pra të bashkuar, të ecim sa më përpara,” tha Lila.