Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NË PRIZREN

Liria i përgjigjet spekulimeve: Me Xhengis Rexhepin fuqishëm drejt Superligës

Xhengis Rexhepi, gjatë një stërvitjeje verore me Lirinë/ TOPSPORT/

Liria i përgjigjet spekulimeve: Me Xhengis Rexhepin fuqishëm drejt Superligës


22 November, 2022 @10:48

Skuadra e Lirisë ka përfunduar stinorin vjeshtor në Ligë të Parë Grupi A, në pozitë të katërt me vetëm 4 pikë më pak se lideri Feronikeli’74. Ekipi në ndërkohë ka zhvilluar edhe ndeshje miqsore, ndërsa përgatitjet po vazhdojnë për ndeshjen e vështirë të Kupës së Kosovës ndaj Dritës, që është lidere e Superligës.

Ndërsa mbrëmë vonë, skuadra ka lëshuar një njoftim ku ka bërë të ditur fjalët e pronarit të klubit që ka fuqizuar pozitën e kryetrajnerit Xhengis Rexhepi, me të cilin Liria do të vazhdojë në pranverë fuqishëm për të siguruar Superligën e Kosovës.

Arsyeja për këtë ka qenë një spekulim i një portali, që është shpërndarë më pas nga disa portale tjera me copy-paste. Aty thuhej se Liria do ta ndërrojë trajnerin, pa dhënë arsye shtesë.

“Ne, të gjithë në klub jemi të kënaqur me punën dhe arritjet e trajnerit. Ai, ka përkrahjen e plotë timen, kryetarit dhe drejtuesve të tjerë. Ne, që tani po mendojmë për stinorin pranveror, ku me trajnerin Xhengis dhe përforcimet që do t’i sjellim, të kthehemi fuqishëm në Superligë”, tha pronari Kiçe, duke hedhur poshtë spekulimet mediale. Ai, me këtë rast ka bërë edhe thirrje, për rritjen e përkrahjes nga të gjithë, drejt kthimit në Superligë.

TABELA AKTUALE

Në fakt, ditë më parë edhe faqja lokale e lajmeve prizrenase në Facebook, 029, në një intervistë me pronarin dhe kryetarin e klubit ka qartësuar se Liria është duke punuar fuqishëm për të arritur Superligën, ndërsa janë paralajmëruar edhe përforcime shtesë gjatë afatit kalimtar dimëror. Aty është lënë të kuptohet se klubi ka kryer obligimet financiare edhe nga e kaluara, ndërsa pritet që në Superligë stadiumi Përparim Thaçi të jetë me bar natyral. Gjithashtu aty janë theksuar edhe planet për talentët e së ardhmes si dhe është kërkuar përkrahje më e madhe, ashtu që klubi bardhezi të tregojë veten në nivelin elit të futbollit kosovar.

liria post

Kujtojmë, në stinorin e kaluar Liria nuk arriti të sigurojë Superligën duke u mposhtur në barazhin e parë, ndaj Vushtrrisë me penallti. Këtë stinor ata po shikojnë mundësinë për të kryer Grupin A të Ligës së Parë si kryesues që siguron Superligën pa nevojë për barazh. Në anën tjetër, Xhengis Rexhepi është trajner me përvojë nga EURO 2020, duke qenë se ka punuar si ndihmës i parë i përzgjedhësit të Maqedonisë Veriore, Igor Angelovski, në rrugëtimin e tyre historik drejt evropianit të parë. Ekipi ka mbajtur bazën e lojtarëve nga stinori i kaluar, ndërsa ka sjellë disa përforcime, ku i dalluar ka dalë të jetë namibiani në sulm Prins Tjiueza, që veçse ka treguar veten me gola gjatë vjeshtës në kampionat.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë