NË PRIZREN
Liria me përforcime shqipe nga Maqedonia
23 January, 2017 @22:35
Bardhezinjtë nga Prizreni, Liria, ka bërë të ditur sot se ka arritur marrëveshje me dy futbollistë cilësorë nga ekipet shqiptare të Maqedonisë.
Fjala është për Florent Osmanin, mesfushor ofanziv i majtë, dhe Burhan Alijin, mesfushor defanziv.
Foto: Florent Osmani (fanella e bardhë)
Osmani 28 vjeç deri tash ka qenë lojtar i ekipit të elitës maqedone, Shkupi, ku ka pasur 18 paraqitje prej të cilave 16 herë startues dhe ka shënuar 2 gola.
Në anën tjetër, Aliji 27 vjeç, së fundi ka qenë pjesë e ekipit nga liga e dytë e Maqedonisë, Euromilk, ndërsa më parë në karrierë ka qenë pjesë e Shkëndijës dhe Teteksit.
Me këto dy përforcime, Liria konsideron se ka kryer punë të mirë në afatin kalimtar të janarit dhe ka paralajmëruar se nuk do të ketë shtesa të reja në skuadër, derisa ekipi po përgatitet për të udhëtuar jashtë vendit për në bregdet, për të përfunduar edhe fazën e dytë stërvitore para fillimit të pjesës së dytë të stinorit të Superligës.
Foto: Burhan Aliji (4)