DERBI I GJILANIT
Livoreka shpëton Dritën, derbi pa fitues
26 February, 2017 @15:08
Pa fitues u mbyll ‘derbi i Anamoravës’, takim i cili si zakonisht ishte shumë interesant, me të dyja skuadrat që e dëshironin fitoren në fushë dhe me të dyja tifozëritë që dhuruan spektakël në tribuna.
Të dy golat e të dyja skuadrave erdhën nga gabimet në mbrojtje. Goli i parë u shënua nga Gjilani, kur pas një një gabimi të Gëzim Gashit në minutën e 4’ të takimit, i pamëshirshëm u tregua Betim Haxhimusa, i cili e mposhti portierin Halimi dhe i dha epërsinë e hershme skuadrës së Gjilanit.
Nga rrjedhoja e ndeshjes, mund të thuhet që Drita ishte edhe pak e pafat sa i përket lëndimeve. Fillimisht Nexhipi u largua pas 15 minutave për shkak të lëndimit e më pas edhe Kastrati u lëndua në minutën e 50’, duke i komplikuar edhe më tepër punët për skuadrën e Munishit, i cili vetëm njërin prej zëvendësimeve e bëri për arsye taktike dhe Drita i përfundoi të trija zëvendësimet në minutën e 50’ të takimit, në mënyrë të ngjajshme si në takimin e Kupës fundjavën e kaluar.
Pjesa e parë ishte pothuajse pa raste konkrete për shënim përveç golit të Haxhimusës. Dritës i takoi posedimi, mirëpo raste konkrete nuk pati as për ta e as për Gjilanin, i cili tentonte rrezikimet me kundërzbritjet e Gëzim Rusit.
Mirëpo për dallim nga e para, pjesa e dytë ishte shumë atraktive. Drita, e cila nuk kishte çfarë të humbte, filloi rrezikimet me të filluar pjesa e dytë. I pari që rrezikoi ishte Sejdiu, i cili gjuajti mbi portë nga gjuajtja e lirë në minutën e 57’ të takimit.
Në anën tjetër, Gjilani si në pjesën e parë, edhe në të dytën rrezikoi me kundërzbritje nga dyshja Rusi-Haxhimusa, si dhe nga një goditje e dënimit e Eminhazirit.
Më pas, Drita pati një rast me Livorekën, i cili për fat të keq të skuadrës së tij nuk e shfrytëzoi siç duhet një dalje jo të mirë të portierit Kaqiu dhe rezultati mbetet i pandryshuar.
Kur u mendua se Gjilani do ta mbyllte me fitore takimin, në skenë doli Përparim Livoreka, i cili e shfrytëzoi një gabim të Kastratit në mbrojtjen vendase dhe shënoi për 1-1 në minutën e 90+6’ të takimit, për t’i dhuruar skuadrës së tij një pikë shumë të vlefshme në luftën për mbijetesë. Pak para golit të barazimit, Drita rrezikoi edhe me Shillovën, i cili e goditi shtyllën pas goditjes me kokë.
Duhet përmendur që në këtë takim nuk munguan as mjetet piroteknike, të cilat nga të dyja tifozëritë u ‘ndezën’ në minutën e 56’ të takimit, e më pas loja u detyrua të ndërprehet për afro 6 minuta, derisa gjësendet e gjuajtura u larguan nga fusha.
Me stadiumin që ishte i stërmbushur, disa tifozë të klubeve gjilanase gjetën edhe zgjidhje tjera për ta shikuar takimin…