BESA-LLAPI

Llapi pa telashe ruan lidershipin
22 November, 2017 @14:26
Lideri i Superligës, Llapi, ka shënuar fitore të lehtë ndaj Besës sot si mysafir në Pejë.
Ekipi i Tahir Batatinës nuk e ka pasur vështirë përballë lojtarëve të rinj pejanë, pasi që ekipi i Besës po luan me juniorë, për shkak të krizës financiare në ekip.
Florim Bërbatovci ka hapur serinë e golave për liderin, ndërsa në pjesë të parë e kanë vazhduar Gentrit Begolli dhe Edon Zeqiri, për pushim të qetë 15 minutësh, 0-3.
Në pjesë të dytë, sulmuesi i Kosovës U21, Mirlind Daku ka ngritur epërsinë e llapjanëve në 0-4, për t’i dhënë fund Besës si dhe për të përmirësuar goldallimin në klasifikim të Llapit.
Besa arriti që të shënojë golin e nderit me Lirim Gashin, por për këtë, Llapi e shpërbleu edhe me dy gola tjerë për përfundimtaren 1-6.
Llapi kap shifrën e 30 pikëve pas 16 xhirove, ndërsa Besa mbetet në zonën e rrezikshme me 13 pikë të tubuara në total.