MEDIA
Lufta Kalinic-Mandzukic për sulmin kroat ndaj Kosovës
26 September, 2016 @8:58
Selektori kroat, Ante Cacic, insiston me Mario Mandzukicin në krye të sulmit të Kroacisë, ndërsa analistët, ish-trajnerët dhe njohësit e futbollit, kërkojnë Nikola Kalinicit t’i ipet minutazhë aty.
Dilema kryesore e përfaqësueses kroate do të dihet në ditën e ndeshjes ndaj Kosovës, më 6 tetor 2016, e deri atëherë, mediat dhe Federata e Futbollit të Kroacisë (HNS) do të vazhdojnë ‘luftën’.
TABELAT DHE ORARI DREJT RUSIA 2018
Kritikat më të mëdha për përzgjedhjen e lojtarëve dhe formacionit, trajneri Cacic, i ka marrë pas barazimit ndaj Turqisë, 1-1. Dhe atë nga legjendari kroat, Ciro Blazevic.
“Logjika të thotë të luash me dy sulmues, e jo me Mandzukicin jo të disponuar, që pret si fantazmë topin që nuk i vjen asnjëherë. Pjesa më e madhe e ekipeve të forta, luajnë me dy sulmues. Njëri mund të jetë pak më i tërhequr, por këto ‘finta’ me tre mesfushorë ofanzivë pas sulmuesit, nuk kalojnë,” - ka thënë Blazevic për Vecernjin.
Në anën tjetër, edhe selektori Cacic, nuk është që nuk ka të drejtë.
“Tërë ditën po më flisni për Kalinicin, e ai nuk e di nëse ka shënuar këtë stinor ndonjë gol,” - kanë qenë fjalët e selektorit kroat.
Sidoqoftë, deri më tani Mario Mandzukic nuk ka shënuar asnjë gol me Juventusin në Serie A, ndërsa Kalinic ka shënuar një me Fiorentinën.
Deri më 6 tetor, Cacic do të vendos për sulmuesin kryesor. Ndërsa Kroacia ndaj Turqisë në ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror “Rusia 2018” ka luajtur me Madzukicin si sulmues kryesor, e pas tij treshen ofanzive, Ivan Rakitic, Ivan Perisic dhe Marko Pjaca.
Kosova pret Kroacinë më 6 tetor në Loro Boriçi të Shkodrës me fillim nga ora 20e45. Të gjitha skuadrat në Grupin I kualifikues për Rusi, kanë nga një pikë të fituar nga ndeshjet e para kualifikuese, por edhe kanë golaverazh të njejtë, 1-1.