ITALI

Serie A/Facebook
Lufta për nënkampion
17 March, 2014 @23:46
Dy skudrat që po ndjeknin deri vonë Juventusin në krye të Serie A-së, sonte kanë shënuar fitore të mëdha - por në luftë për vendin e dytë dhe titullin nënkampion.
Edhe Roma edhe Napoli kanë shënuar fitore të rëndësishme, por tashmë lufta e tyre është e koncentruar për vend të dytë, pasi që Juventus është gati 20 pikë mbi ata, saktësisht 17. E humbja e këtij avantazhi me lojërat që po tregojnë Bianconerët duket tepër-tepër optimiste dhjetë xhiro pa përfunduar kampionati italian.
Higuain fiton ndeshjen dhe ndjek Tevezin
Napoli, arriti fitore të madhe në Torino ndaj ekipit me të njejtin emër, në saje të golit të argjentinasit Gonzalo Higuain në sekondat e fundit të takimit.
Migjen Basha i Torinos u fut në ndeshje në 12 minutat e fundit të takimit, derisa te Napoli nga futbollistët me origjinë shqiptare, u fut vetëm Valon Behrami dhe atë në minutën e 65-të.
Higuain shënoi sonte golin e 14-të të tij në Serie A, derisa është duke e ndjekur bashkëkombasin e tij Carlos Tevez në krye të listës së golashënuesve - ku ky i fundit ka një gol më shumë të shënuar.
Përkrahje për Strootmanin dhe fitore
Në ndeshjen tjetër, Giallorosët e Romës me pankarta dhe me fanella përkrahëse ndaj lojtarit të tyre të lënduar që duket se do të mungojë edhe në Brazil 2014, Kevin Strootman, kanë arritur fitore ndaj Udineses së papërshtatshme me rezultat 3-2.
Francesco Totti ka hapur serinë e golave në këtë ndeshje, derisa e vazhdoi Mattia Destro për 2-0. Kur pritej rikthimi i Udineses në pjesë të dytë pas golit të Giampiero Pinzit, greku Vassilis Torosidis gozhdoi 3-1 e në fund serbi Dusan Basta përcaktoi rezultatin përfundimtar të ndeshjes 3-2.
Roma e Napoli kanë pikë të njejta (58) dhe romakët qëndrojnë në pozitën e dytë pas xhiros së XXVIII me dy ndeshje më pak të zhvilluara se pjesa më e madhe e Serie A-së, vetëm falë golaverazhit.
Rezultatet dhe tabela aktuale.