BUNDES - TOP 4
Luftë e nxehtë për pozitën 4
20 April, 2013 @18:35
Schalke, Freiburg, Eintracht Frankfurt, Borussia Monchengladbach dhe Hamburg, janë skuadrat të cilat janë në konkurrencë për ta përfunduar stinorin në pozitën e katërt në Bundesligë, ndërsa rezultatet e kësaj jave e kanë nxehur edhe më shumë luftën për këtë pozitë.
Skuadra e cila ishte në ‘pole-position’, Schalke, u mposht nga rivali i drejtpërdrejtë, Eintracht Frankfurt, me rezultat minimal 1-0 dhe tani dallimi në mes të këtyre dy skuadrave është vetëm dy pikë në të mirë të Schalkes.
Në avantazh duket të jetë Freiburgu, i cili është në pozitën e pestë me një pik më pak se Schalke, por edhe me një ndeshje më pak. Freiburgu nesër synon të shënojë fitore në udhëtim ndaj Stuttgartit për t’u ngjitur në pozitën e katërt.
Edhe ekipi i Granit Xhakës, Borussia Monchengladbach, duket se do të luftojë deri në fund për t’i siguruar ndeshjet kualifikuese për Champions League në stinorin e ardhshëm. Këtë Gladbach e vërtetoi me fitoren e djeshme ndaj Augsburgut.
Gjasat e njëjta me skuadrën e Xhakës i ka edhe Hamburgu, pasi që të dyja skuadrat i kanë nga 44 pikë. Hamburgu sot shënoi fitore ndaj Dusseldorfit me rezultat 2-1 për të mbetur edhe më tej në garë për vendin e katërt.