BENTEKE

REUTERS/Darren Staples
Makina e re e golave
30 April, 2013 @9:36
Stadiumi Villa Park në Birmingham kah janari kishte pranuar brenda dy tifozë të veshur si astronautë.
Para se të fillonte ndeshja e Aston Villës, ata shëtisnin rreth e rrotull stadiumit me një pankartë ku shkruante - Benteke është nga një botë tjetër.
Christian Benteke, i ardhur këtë stinor në Aston Villa nga Genku i Belgjikës, ka treguar se është transferi më i qëlluar që ka mundur të bëjë ekipi nga Birmingham.
E dobësuar nga fondi i lojtarëve, në krizë financiare, gati çdonjëri e rrëzoi ekipin e udhëhequr nga Paul Lambert në ligën e dytë angleze, Championship. Lambert ka qenë njeriu që e ka zgjedhë Benteken si përforcim dhe shikoni rezultatet e super sulmuesit belg.
Christian Benteke mbrëmë shënoi hat-trick ndaj Sunderlandit për t’i shtuar shpresat e mbijetesës për ekipin e tij. I lindur në Kinshasa të RD Kongo, Benteke 22 vjeç ka shënuar golin e tij të 18-të mbrëmë në Premier League dhe gjindet në pozitën e katërt të golashënuesve më të mirë të Anglisë.
Aston Villa është ngritur në pozitën e 16-të në tabelë, pas sa e sa muajsh dhe tani ka pikë të njejta edhe me dy skuadra tjera, Sunderland dhe Newcastle United.
Me Benteken që shpërtheu këtë stinor, Aston Villa tani më është larguar nga lista e të rrezikuarve dhe gati sa s’ka siguruar mbijetesën. Vetëm 6 futbollistë nga ligat tjera, të ardhur në Premier League, kanë shënuar më shumë se Christian Benteke në stinorin e parë të tyre në Angli. Mirëpo, Christian Benteke është më i riu ndër ata. (Borozani)
FAKT:
1 | Christian Benteke është belgu i parë në histori të Premier League që ka shënuar hat-trick. |
FAKT:
1 | Christian Benteke pritet të bëhet sulmuesi i parë i Aston Villës, pas Peter Withe (1980/85), që ka shënuar mbi 20 gola në stinor. |