E FUNDIT

Fotografitë: UEFA Euro/fb
Mali i Zi - Kosova, pa tifozë?!
26 March, 2019 @12:40
Pas thirrjeve raciste në kuadër të ndeshjes së mbrëmshme Mali i Zi - Anglia, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020, UEFA-ja ka nisur procedurën disiplinore ndaj Federatës malazeze.
Kështu, pas ankesave të Raheem Sterling dhe Gareth Southgate për atë që kanë dëgjuar me veshët e tyre në ndeshjen që e fituan thellë 1-5, dhe vërtetimit nga UEFA-ja për Malin e Zi pritet të vjen një dënim i rëndë nga UEFA.
Dënimi mund të shkojë edhe në ndeshje pa prani të tifozëve përveç gjobës, që do të thotë se Kosova do të luante në Podgoricë ndeshjen e radhës në tribuna të zbrazta ndaj Malit të Zi.
Ndeshja e radhës në kuadër të Grupit A kualifikues për EURO 2020 e Kosovës është në Podgoricë më 7 qershor.
Përveç racizmit, Mali i Zi do të gjykohet nga KD-ja e UEFA-së edhe për përdorim të piroteknikës, hedhjes së gjësendeve në terren dhe parregullësive në tribuna.
Vendimi për fatin e Malit të Zi do të mirret më 16 maj.
Rregullorja e UEFA-së për racizëm, diskriminim dhe propagandë thotë:
Nëse një ose më shumë anëtarë të Federatës ose përkrahës të ekipit fyejnë në baza raciste ekipin/lojtarin kundërshtar minimumi i dënimit është mbyllja e disa pjesëve të stadiumit, përndryshe:
a. ofendimi i dytë dënohet me një ndeshje në dyert e mbyllura dhe gjobë 50 mijë euro;
b. çdo vepër e mëtejme dënohet me më shumë se një ndeshje me dyer të mbyllura, humbjen e ndeshjes në tavolinë, heqjen e pikëve, ose diskualifikimin nga gara.