BELGJIKA - JAPONIA
Martinez shah-mat ndaj super-samurajëve
2 July, 2018 @22:01
Njëra ndër ndeshjet më të mira të Boërorit Rusia 2018. Pas pjesës së parë të kryer pa gola, dy ekipet më sulmuese deri tash në kampionat, treguan super ndeshje në pjesë të dytë të saj për përfundimtaren 3-2 në të mirë të Belgjikës, që arriti çerekfinalen dhe do t’i del përballë Brazilit aty.
Japonia avancoi përmes Genki Haraguchit me të nisur pjesa e dytë, ndërsa 4 minuta më vonë Takashi Inui me goditje nga distanca ngriti epërsinë në 0-2 për samurajët.
Belgjika u hodh e tëra në sulm, ndërsa goli nuk erdhi, derisa reagoi selektori Roberto Martinez. Ai nxorri nga loja Dries Mertensin dhe Yannick Carrascon për të futur në lojë Marouane Fellainin dhe Nacer Chadlin, minuta 65.
Jan Verthongen me një gol të çuditshëm me kokë uli disavantazhin në 1-2 (69’), ndërsa shpejt pas kësaj zëvendësuesi Fellaini barazoi në 2-2.
E krejt në fund, pas një kundërsulmi të shpejt, ka qenë zëvendësuesi tjetër, Chadli që shënoi për fitoren belge, 3-2.
Zhgënjim i madh për Japoninë, derisa ishin orët e para të ditës në Tokio, në këtë kohë; e në anën tjetër Belgjika tash e tutje do të kërkojë gjysmëfinalen në duel ndaj Brazilit.