RAHOVECI 2-0 BASHKIMI

Pamje nga festa e futbollistëve të KF Rahovecit pas shënimit të golit të dytë/ Foto: LigaeDyteeKosoves/fb
Me fitoren vendimtare, Rahoveci siguron Ligën e Parë
29 May, 2021 @18:03
Tashmë festa ka nisur në Rahovec, derisa klubi i futbollit të këtij qyteti ka mposhtur në ndeshjen vendimtare të stinorit sot rivalin direkt për promovim, Bashkimin e Koretinit.
Rahoveci në stadiumin e qytetit, përreth të cilit ishin mbi 1 mijë tifozë duke brohoritur, ka arritur të mposht me një lojë tejet të mirë të treguar Bashkimin 2-0 [Muhamet Shehu 44, Haxhi Sada 46].
Golat e Rahovecit erdhën në fund të pjesës së parë dhe në fillim të pjesës së dytë, ndërsa ekipi gati gjysmë ore luajti me 10-lojtarë në fushë, pasi që me kartonin e dytë të verdhë Muhamet Haradinaj u përjashtu në minutën e 66 të ndeshjes nga referi kryesor, Visar Kastrati.
Dëshira aq e madhe për fitore e Rahovecit u vërejt që nga minuta e parë e lojës dhe vazhdoi gjatë tërë takimit. Veterani Isa Eminhaziri asistoi te të dyja golat e skuadrës, ndërsa Bashkimi luajti aq pa motiv dhe dobët, sa që nuk krijoi asnjë rast konkret edhe pse i duhej vetëm barazimi për të arritur Ligën e Parë.
Një strategji tejet jo e pëlqyeshme e Faruk Statovcit me Bashkimin sot, ua çoj tërë stinorin poshtë, ndërsa Senad Alirifa i Rahovecit qartë me sulme, me posedim dhe gola konkret ngriti skuadrën një ligë më lartë.
Eminhaziri krosoi bukur nga gjuajtja e lirë në minutën e 44, kur Shehu shënoi me kokë për 1-0, ndërsa me të nisur pjesa e dytë e ndeshjes asistoi shpejt e bukur për Sadën që shënoi për 2-0 (46) dhe kështu vreshtarët siguruan vendin e dytë në renditje tabelare, që deri tash mbahej pikërisht nga Bashkimi, për të siguruar Ligën e Parë.
Kështu, bashkë me Fushë Kosovën tash edhe Rahoveci ka siguruar Ligën e Parë për stinorin 2021/22.
Për vreshtarët ky promovim lartë u vjen pas 3 stinorëve të kaluar në Ligë të Dytë të Kosovës.