DUKAGJINI 1-1 ULPIANA

Foto: KFDukagjini
Merlaku siguron pikën, të rrezikuarit barazojnë
23 November, 2021 @15:36
Njëri ndër lojtarët më të njohur të skuadrës së Dukagjinit, Altin Merlaku, ka shënuar nëntë minuta para fundit të ndeshjes për t’ia siguruar Dukagjinit barazimin e tretë në katër ndeshjet e fundit në Superligë.
Klinasit që sot ishin vendas në përballje ndaj Ulpianës së Lipjanit ranë në disavantazh pas golit të pësuar nga Ermir Rezi, dhjetë minuta pasi kishte filluar pjesa e dytë, por arritën të mos mposhten në fund, për përfundimtaren 1-1 [Altin Merlaku 81 - Ermir Rezi 55].
Pjesa e parë që përfundoi pa gola u karakterizua me dy raste të mira për ekipin e drejtuar nga Armend Dallku, ku së pari tentoi Ahmed Januzi (18) e më pas edhe Merlaku (32).
Në pjesë të dytë ekipi mysafir i drejtuar nga Edlir Tetova erdhi në epërsi dhe ishte shumë afër fitores me lojën e treguar, por ka qenë përvoja e Merlakut që nuk i la lipjanasit të dalin me tri pikë nga 18 qershori.
Në fund, barazimi që s’i konvenoi asnjërës palë, vazhdon t’i mbajë ata në zonë të rrezikshme të Superligës, ku Ulpiana mbetet me një pikë mbi Dukagjinin.