CHELSEA - BARCELONA

Foto: BBC
Messi thyen ‘mallkimin’, Barcelona në avantazh
20 February, 2018 @22:38
1-1 është mbyllur ndeshja kryesore e natës së sotme në Champions League, rezultat i cili i konvenon skuadrës së Barcelonës, e cila ndeshjen e kthimit e luan në shtëpi.
Siç pritej, ndeshja kaloi me Barcelonën poseduese kryesore të topit, e me Chelsean në anën tjetër që tentonte të rrezikonte përmes kundërsulmeve, stil loje që Chelsea sonte e përdori mjaft mirë, me përjashtim të golit të pranuar, gol i cili ia zvogëlon gjasat për një kalim në fazën tjetër.
Pjesa e parë e ndeshjes kaloi me vëmendjen te braziliani Willian, i cili dy herë e goditi shtyllën me 2 goditje shumë të fuqishme, ndërkaq goli i tij dhe i epërsisë së Chelseat erdhi nga goditja e tij e tretë në portë. “E treta e vërteta” e Willianit erdhi në minutën e 62’ të ndeshjes, gol i cili në fund doli të ishte i vetmi i vendasve për sonte.
Gjithsesi, kur u mendua se Barcelona ishte e pafuqishme të reagonte, një gabim individual në mbrojtjen londineze e ‘prishi’ komplet paraqitjen fenomenale kolektive të skuadrës dhe shifrat u barazuan. Një pasim shumë i mirë nga Iniesta pas gabimit të mbrojtjes vendase u shfrytëzua maksimalisht nga Leo Messi, i cili e shënoi golin e parë në karrierë ndaj Chelseat pas 9 ndeshjeve ndaj kësaj skuadreje dhe i dha skuadrës së tij golin në terrenin mysafir.
Në vazhdim të ndeshjes gola nuk pati dhe skuadrat e mbyllën takimin me shifrat 1-1, duke bërë kështu që ndeshja e 14 marsit të nis me Barcelonën në avantazh.