PARA NDESHJES CHELSEA - BARCELONA

Chelsea vs. Barcelona, ‘sinjal’ për fituesin e Championsit?
20 February, 2018 @14:20
Një nga duelet më interesante në fazën e së tetave në Champions League padyshim që është ai mes Chelseat dhe Barcelonës.
Dy skuadrat janë përballur mes vete disa herë këtë shekull dhe kanë dhuruar përherë përballje interesante e emocionuese, mirëpo ajo që bie në sy është një statistikë e veçantë në tri sezonet e fundit kur janë përballur këto dy skuadra.
Që nga viti 2006, sa herë që Chelsea e Barcelona janë takuar mes vete në Champions League, fituesi i asaj përballjeje e ka fituar pikërisht në atë edicion Ligën e Kampionëve.
Në vitin 2006, Barcelona e mposhti Chelsean në 1/8 e finales me rezultat të përgjithshëm 3-2 pas dy ndeshjeve, e më pas e fitoi Champions Leaguen pasi e mposhti Arsenalin në finale.
Edhe në vitin 2009, Barcelona e kishte eliminuar Chelsean në gjysmëfinalen me vendime tejet kontraverse, për ta fituar më pas garën më prestigjioze evropiane për klube në finale ndaj Manchester United.
Së fundi, skuadrat u takuan në vitin 2012, vit në të cilin Chelsea e eliminoi Barcelonën në ‘Camp Nou’ me golin e famshëm nga Fernando Torres, për të triumfuar më pas në finale ndaj Bayernit në ‘Allianz Arena’.
Se a do të jetë fituesi i kësaj përballjeje fitues i Champions Leagues edhe sivjet, mbetet të shihet!