FA CUP 1/8: WIGAN-CITY

Foto: B/R
I eliminon ekipi i ligës së tretë
19 February, 2018 @22:59
Manchester Cityt i është ngushtuar numri i titujve që po i pretendon këtë stinor. Ekipi që konsiderohej i denjë për të fituar katër tituj në fund të këtij stinorit, është eliminuar befasisht nga ekipi i ligës së tretë të Anglisë, Wigan Athletic, 1-0, sonte.
City luajti pjesën e dytë me 10 lojtarë, pas skuqjes së Fabian Delphit, por posedimin e topit e kishte mbi 77% në pjesë të dytë.
Sidoqoftë, kjo nuk solli rezultat. Ka qenë Will Grigg hero i Wiganit, që me golin e tij kualifikoi ekipin nga League One në çerekfinale të FA Kupës angleze.
Pep Guardiola ka pasur në dispozicion thuajse 11-shen më të mirë të tij. Bile, në pjesë të dytë u inkuadruan edhe Kevin de Bruyne e Kyle Walker, derisa vetëm Vincent Kompany dhe portieri Ederson Moraes munguan nga 11-shja standarde e Cityt sot.
Në anën tjetër, stadiumi i Wiganit, shpërtheu në gëzim në fund të ndeshjes, derisa trajneri Paul Cook ka arritur që me djelmoshat e tij të bëjë befasinë më të madhe deri tash në këtë garë.