PARA KOSOVA-KROACIA
Milot Rashica: Japim më të mirën për Kosovën
4 October, 2016 @14:41
Futbollisti premtues i përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica, ka thënë se lojtarët e Kosovës do të japin më të mirën e tyre në përballje ndaj Kroacisë të enjten, më 6 tetor 2016.
Rashica me bashkëlojtarët e Kosovës është duke i kryer stërvitjet e fundit sot në Drenas, ndërsa pas kësaj marrin rrugë për në Shkodër, ku do të stacionohen për duelin e radhës.
“Atmosfera është jashtëzakonisht e mirë në ekip. Të gjithë e dimë kualitetin e Kroacisë, por ne do të japim më të mirën nga vetja,” ka thënë Rashica për mediat pas stërvitjes.
“Mungesat kroate besoj që nuk ndikojnë në cilësinë e ekipit të tyre, pasi që edhe zëvendësimet janë mjaft cilësore te Kroacia,” ka shtuar ylli i Vitesses, Rashica, kur u pyet për mungesat e yjeve të dy ekipeve më të fuqishme të botës, Luka Modric nga Real Madrid dhe Ivan Rakitic nga Barcelona.
Kjo është ndeshja e dytë kualifikuese për Kosovën në ciklin drejt “Rusia 2018”. Në të parën, djelmoshat kosovarë barazuan ndaj Finlandës si mysafir 1-1, sikurse edhe rivali i së enjtes ndaj Turqisë, 1-1.