FINLANDEZI
Moisander: Nuk ka rival të lehtë
1 September, 2016 @15:31
Njëri ndër futbollistët më me përvojë të Finlandës aktualisht, Niklas Moisander, duke folë për faqen e Federatës finlandeze ka bërë të ditur se Kosova nuk është rival për tu anashkaluar.
“Besoj që duhet t’i hymë ndeshjes me mentalitet pozitiv. Kjo është shumë me rëndësi. E kemi parë edhe në ciklin e kaluar kualifikues se asnjë ndeshje nuk është e lehtë,” ka thënë fillimisht qendërmbrojtësi 30 vjeçar që aktualisht luan për Werder Bremenin në Bundesligë.
Për Moisanderin ndeshja në Turku është me rëndësi të veçantë, pasi që është vendlindja e tij.
“Ndeshjet ndërkombëtare janë gjithmonë të vështira. Sidoqoftë, është mirë që po luajmë në Turku, pasi që ndeshjet duhet të luhen edhe në vende tjera. Kurse, ndeshjet përgatitore mund të jenë çfarëdo deri më tani, ajo që është me rëndësi është ndeshja e radhës zyrtare,” ka thënë ai.
Finlanda mbrëmë u mposht nga Gjermania në miqësoren e fundit para duelit ndaj Kosovës, 2-0. Moisander ka qenë për 90 minuta në fushë gjatë kësaj ndeshjeje. RAPORTI I NDESHJES GJERMANIA-FINLANDA.
Finlanda pret Kosovën në përballjen e parë kualifikuese për Botërorin 2018 në Rusi, më 5 shtator me fillim në ora 20 e 45.