HAZARD

REUTERS/Arkiv
Mungon ndaj Atleticos!
21 April, 2014 @14:46
Eden Hazard, që u lëndua në ndeshje ndaj Paris St Germain më 8 prill në Ligë të Kampionëve, nuk është i gatshëm plotësisht për ndeshje ndaj Atletico Madridit, të cilën Chelsea e luan nesër në Vicente Calderon.
Ndihmës trajneri i Chelseat, Steve Holland, ka pohuar se Hazard do të duhet të tregojë 100% e tij në stërvitje para se të jetë i gatshëm për ndeshje. E Hazard nuk ka qenë fare në stërvitje për ndeshjen e kësaj fundjave, që ka bërë mediat angleze të dyshojnë në paraqitjen e tij, transmeton Eurosport sot.
Mungesa e mesfushorit kreativ belg do të ishte goditje e madhe për Chelsean, pasi që Hazard padyshim ka qenë motori i ekipit këtë stinor dhe për më tepër është kandidat për të fituar çmimin e lojtarit të vitit në Premier League.
Në anën tjetër Atletico Madrid është ekipi i vetëm që nuk ka pësuar humbje këtë stinor në Ligë të Kampionëve, duke mposhtur në shtëpi edhe ish kampionë të kësaj gare si Milan e Barcelona.
Për më tepër, Atletico Madrid, që është edhe lider i La Ligas, do të luaj gjysmëfinalen e parë në këtë garë në 40 vitet e fundit.