ARTEMIO FRANCHI

REUTERS
Napoli nxjerr fitore në Firencë
30 October, 2013 @23:16
Njëra ndër ndeshjet më interesante në mesjavë të Serie A-së përfundoi me fitore të Napolit në Firencë ndaj Fioretinas. Iniciativa e hershme e vjollcëve u ndërpre nga goli i napolitanëve, i shënuar nga Jose Maria Callejon.
Giuseppe Rossi në formë nivelizoi gjithçka nga penalltia, derisa Dries Mertens dha riavantazh për Napolin e Rafael Benitezit që në minutën e 36-të të ndeshjes.
Më pas Fiorentina e Vincenzo Montellas vuri gjithçka në bast për gol. Raste të shpërdoruara nga kolumbiani Juan Cuadrado si dhe një tjetër nga Rossi nuk dhanë fryt.
Dhjetëminutëshi i fundit solli edhe më shumë emocione në Artemio Franchi, kur napolitani Cristian Maggio u ndëshkua me të kuqe (dy të verdhë), por gol më nuk kishte. E krejt në fund Fiorentina u ‘çmend’ pas vendimit të referit për përjashtim të Cuadrados i cili u godit nga Gokhan Inler i Napolit, kurse referi i dha karton kolumbianit për ta përjashtuar për shkak të dy të verdhave.
Vetëm Valon Behrami ishte në fushë sonte nga shqiptarët e Napolit, të cilët vazhdojnë ndjekjen e liderit bashkë me Juventusin. Behrami u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 56-të të takimit, derisa gjyqtari kryesor i takimit Giampaolo Calvarese ka shpërndarë hiç më pak se njëmbëdhjetë kartonë të verdhë sonte (dy të shndërruar në të kuqe).
Rezultatet dhe tabela aktuale.