PËSON PARTIZANI DHE LAÇI
Natë dëshpëruese për ekipet shqiptare
12 July, 2018 @23:29
Garat e Europa Ligës nuk kanë qenë të suksesshme për ekipet shqiptare sonte.
Përveç Shkupit që u mposht nga Glasgow Rangers dhe Luftëtarit të Gjirokastrës që u mposht nga Ventspils, disfatë kanë pësuar sonte edhe Partizani i Tiranës dhe Laçi.
Partizani u mposht në Selman Stërmasi të Tiranës nga ekipi i Mariborit të Sllovenisë me rezultat minimal 0-1.
Golin e vetëm dhe të fitores për ekipin slloven e shënoi Gregor Bajde në minutën e 50-të, ndërsa tentimet e Partizanit, që aktualisht drejtohet nga Skender Gega, ishin të pamjaftueshme për së paku barazim.
Labinot Ibrahimi luajti 90 minuta për Partizanin, ndërsa Esat Mala 74 minuta.
Në anën tjetër, ekipi i Laçit, i drejtuar nga Besnik Prenga u mposht nga Anorthosisi i Qipros me rezultat 2-1, përkundër se kishte epërsi 0-1 në fillim të ndeshjes kur Erjon Hoxhallari kishte shënuar për epërsi.
Gjithsesi, ky rezultat është i mirë për Laçin që javën tjetër do të kërkojë kualifikimin në raundin e dytë të garave kualifikuese të Europa Ligës.
Nga të gjitha ekipet shqiptare, në këtë xhiro të Europa Ligës, vetëm Prishtina ka nxjerrë barazim. Bardhekaltërit nga kryeqyteti i Kosovës barazuan pa gola ndaj Fola Eschit të Luksemburgut dje.