PRISHTINA - ULPIANA

Foto: FC Prishtina
Ndalet nga Ulpiana, Prishtina ende pa fitore në shtëpi
30 September, 2021 @17:12
Edhe 7 xhiro pasi ka filluar kampionati, kampioni në fuqi i Kosovë nuk di për fitore në ndeshjet e luajtura në shtëpi!
Për herë të tretë në po aq takime të luajtura si vendase, Prishtina sot nuk arkëtoi pikët e plota, e kësaj radhe pikën ia mori Ulpiana nga Lipjani. Pas 90 minutave lojë, takimi mes skuadrave në fjalë përfundoi 1-1 (Leotrim Kryeziu 54’ / Ermir Rrezi 45+2’).
Pjesa e parë ishte mjaft e qetë. Ishte skuadra e Prishtinës ajo që dominonte bindshëm sa i përket posedimit të topit, mirëpo raste konkrete për shënim nuk krijonte dot.
Në anën tjetër, Ulpiana me maturi mbrohej mirë dhe në momentin kur më së paku pritej, në fundin e pjesës së parë (45+2’), mysafirët nga Lipjani e gjetën golin e epërsisë.
Goditja e Ermir Rreyit u devijua nga mbrojtja vendase dhe topi përfundoi në rrjetën e Nikës, e kështu Ulpiana shkoi në pushim me epërsi minimale.
Pjesën e dytë Prishtina e filloi fuqishëm. Disa sulme të njëpasnjëshme çuan deri te goli, që erdhi nga Leotrim Kryeziu. Ky i fundit, krosimin e Endrit Krasniqit në minutën e 54’, e shndërroi në gol, e kështu rezultati u barazua në 1-1.
Për fatin e keq të saj, Prishtina momentumin e krijuar pas barazimit nuk arriti ta vazhdojë, për të shkuar te goli i fitores. Dalëngadalë, Ulpiana u rikthye në lojë, duke krijuar raste kohë pas kohe, e gjithçka më e lehtë për lipjanasit u bë kur Erando Karabeci i kryeqytetasve u përjashtua nga loja me karton të kuq. Vendimi për përjashtimin e Karabecit u mor pas rishikimit me VAR.
Pasi mbeti me 10 lojtarë në fushë, Prishtina rastin më të mirë e pati në minutën e 80’, kur Endrit Krasniqi lëshoi një mundësi tejet të mirë për shënim. Rast të mirë në minutën e 88’ pati edhe Oto John, por portieri mysafir u tregua i vëmendshëm, si shumë herë të tjera sot.
Gjithsesi, në pjesën e mbetur të ndeshjes asnjëri prej tentimeve të Prishtinës nuk përfundoi në rrjetë dhe ndeshja u mbyll pa fitues, rezultat i cili padyshim që më shumë i konvenon lipjanasve, që po luftojnë për mbijetesë. Në anën tjetër, Prishtina pas 7 xhirove ndodhet 5 pikë larg kreut të klasifikimit.
Te Prishtina as sot nuk ishte i gatshëm për lojë Besart Berisha, sulmuesi i ardhur me shumë bujë. Ndeshjen ai e shikoi nga shkallët e “Fadil Vokrri”-t.