OPINION
Fotografitë TOPSPORTI/ Arian Paçarizi
Ndjenja e favoritit
Shkruan: LUAN MORINA
27 March, 2019 @22:59
Po të më thoshte dikush në pasditen e vonshme të dielës së 10 korrikut të vitit 1994 se pas çerek shekulli Kosova do të ishte favorite ndaj Bullgarisë, e cila po shkapërderdhte kampionët aktual të botës në çerekun e fundit të ndeshjes, do ta besoja! Do ta besoja si çdo fëmijë që porsa ka përfunduar klasën e parë fillore!
Por, që para dy viteve gjersa çdo vend na mposhte me sa gola mundte, të më thoshin që do të ishim favorit për të shkuar në Euro2020 nga grupet, jo nga kjo mënyra që kam përmendur këtu tek TopSporti, do ta quaja të çmendur!
Dhe ndjenja e favoriti na mundoi për të mirë e për të keq në pjesën e parë të lojës. Ishim shumë të lehtësuar në tentim për të bërë lojën tonë, dhe goli që pranuam na dëmtoi paksa mendërisht. Megjithatë, tregimi i karakterit, pjekja psikike u pa me ngulmimin për të sulmuar, për të marrë të tri pikët.
ORARI, TABELA dhe REZULTATET EURO2020
Tri pikë nuk erdhën, por as nuk shkuan. Është ajo filozofia e gotës gjysmë të mbushur (a të zbrazur). Njëjtë mund ta definojmë edhe këtë ndeshje ndaj Bullgarisë, varësisht se si e shihni botën përreth. Unë me një mund të madh dua ta shoh si gotë gjysmë të mbushur!
Lojën e morëm shumë të lehtë, ndjenja e favoriti e kërkesat e shikuesve na bënë që të shtohet presioni. Duke e ndrydhur brenda këtë presion, lojtarët u munduan ta japin maksimumin, dhe pësuam nga duhej të mbroheshim – ndërprerjet. Ndjenja e favoritit na bëri që t’u falim një korner të panevojshëm, dhe pastaj të mundohemi të barazojmë rezultatin.
Nëse shohim lojën, sidomos nga pikëpamja e një neutrali, mund të përfundojmë që Kosova ishte e mahnitshme. Krijuam raste, por nuk arritëm t’i konkretizojmë. Njëjtë edhe bëmë lëshime, të cilat i bënë çdo ekip që është në rritje, në pjekje ta quaj.
ORARI, TABELA dhe REZULTATET EURO2020
Përvoja e bullgarëve na qiti jashtë ftohtësisë psikike, si me ndërhyrjet e panevojshme si me zhegitjen e lojës. Reagimi jonë ishte i pamatur, dhe kjo është një nga dy fushat ku duhet të punohet. Tjetra është ndjenja e favoritit. Sa më përulët që luajmë, sa më shumë që respektojmë kundërshtarët si të barabartë me neve e assesi nën neve, aq më mirë do të luajmë, aq më shpesh do të fitojmë.
Lëndimet e Kolollit e Kryeziut ishin të dukshme. Përgatitja e tyre fizike nuk ishte në nivelin më të mirë, por përkundër kësaj dhanë maksimumin. Vija e mbrojtjes disa herë u ça nga bullgarët, por mosha më e re e jona pamundësoi kundërsulmet e tyre.
Tranzicioni i mesfushës gjatë kundërsulmeve të kundërshtarit ishte i dobët. Me ekipe më dinamike nuk guxojmë të lëmë aq lehtë kundërsulmet. Vojvoda pati punën më të madhe në distribucionin e topave para në mungesë të formës së Kryeziut dhe veçanërisht Kolollit.
ORARI, TABELA dhe REZULTATET EURO2020
Krahët nuk funksionuan siç kemi dashur, e megjithatë ia dolën të bëjnë punë të mirë. Lëshuam disa raste të sigurta shënimi, por edhe këto përmirësohen. Muriç duhet të jetë më i matur, ngjashëm si pjesa dërrmuese e ekipit në ndeshje të këtilla.
Halimi ishte i jashtëzakonshëm, dhe kur nuk funksionon Celina, atëherë mund ta përdorim si pikë lidhëse para dy mesfushorëve defensiv, e edhe mund të kthehemi të luajmë vetëm me Kryeziun në rast se duhet të kthejmë rezultat!
Si zakonisht – Kosova po rritet. S’dyshoj që më lehtë do ta kemi të luajmë lojën tonë në Bullgari pa presionin e terrenit vendës. E serinë pa humbje mund ta shtyjmë deri në vjeshtë!
i:
Shkrimet e autorit, nuk paraqesin qëndrimin e redaksisë. |