SELEKTORI I RI
Në korrik, kuptohet zëvendësuesi i De Biasit
22 June, 2017 @17:58
Federata e Futbollit të Shqipërisë, ka bërë të ditur sot zyrtarisht se do të vendos për përzgjedhësin e ri të kombëtares, në muajin e ardhshëm, korrik.
“Federata e Futbollit kërkon të bëjë me dije të gjithë opinionin publik dhe sportdashës që ka nisur negociiatat për të vendosur më pas, në një moment oportun dhe të afërt, emërimin e trainerin e ri të ekipit kombëtar të futbollit, pas largimit të teknikut Gianni de Biasi. Përzgjedhja e drejtuesit të ri të skuadrës përfaqësuese të futbollit është një proçes që kërkon kohën e duhur. FSHF ka nisur pikërisht me proçesin e kontakteve dhe bisedave në lidhje me kandidaturat e mundshme, të cilat janë në një numër të konsiderueshëm. Ato do të vlerësohen dhe pas kontakteve të marra, brenda muajit korrik do të vendoset edhe emri i ri i trajnerit të ekipit kombëtar. Gjatë gjithë kësaj kohe FSHF është në fazën e vlerësimit, kontakteve dhe bisedave për kandidaturat e ndryshme për të marrë drejtimin e skuadrës kombëtare,” ka bërë të ditur njoftimi zyrtar i FSHF-së sot.
Deri më tani janë përfolur disa emra për përzgjedhës të Shqipërisë, që do të mund të vinë si zëvendësues të De Biasit historik me kuqezinjtë, por FSHF, ende nuk ka bërë të ditur asnjë emër.