ANALIZË VERORE
Vera te Real Madridi
Shkruan: LUAN MORINA
21 June, 2017 @15:00
Asnjë! Asnjë transferim nuk i nevojitet Realit të Madridit sot!
Kanë dy ekipe të plota me të cilat mund të konkurrojnë në të tri fronet. Pos këtyre dy ekipeve, në Real kthehen edhe tri talente që kanë marrë përvojën më së të nevojshme sezonin e kaluar.
Diego Llorente, Marcos Llorente e Jesus Vallejo vijnë një vit më të pjekur dhe secili me mbi 25 ndeshje të djersitura sezonin e kaluar.
Porta
Donnarumma flitet si ardhje eventuale. Në mos këtë verë, verën tjetër. Nuk është ide e keqe. Përkundrazi, do të përshtatej me ekipin e fantastikëve në pjekje të Realit. Por, duke pasur parasysh që portierët arrijnë më të mirën në moshën 30 vjeçare, atëherë De Gea do të kishte qenë ndoshta zgjedhje më e mirë për momentin. Të dy janë më të mirë se Keylor Navas. Portieri i Kosta Rikës ka bërë disa lëshime kur është nevojitur më së paku të ndodhnin gjatë sezonit të kaluar. Casilla do të kthehet në portierin e tretë. Real do të transferoj një portier. Njërin nga De Gean apo Donnarumman.
Mbrojtja
Jesus Vallejo dhe Diego Llorente s’do të marrin minutazh të shumtë. Në fakt të dy mund të largohen edhe për një vit, por dyshoj që do të ishte e nevojshme. Një vit grumbullim me ekipin, përshtatje me atmosferën do të ishte e përkryer që në mot të konkurronin për ekipin e parë – atëherë kur Sergio Ramos s’do të mund të luaj 50 ndeshje në sezon.
Varane pa lëndime është i shkëlqyeshëm. Nacho Fernandez në qendër është shumë më i mirë se në krahë. Qendërmbrojtja është e mbuluar. Edhe krahët hiç më keq s’janë.
Marcelo me Zidane është kthyer në mbrojtësin e majtë më të mirë në botë. ka pasur sezon të mrekullueshëm. Coentrao si rezervë, bashkë me Nachon mund të kryejnë punë shumë mirë. Por, me ardhjen e Theo Hernandezit s’do të mbetej nevojë për asnjërin në këtë pozitë.
Carvajal ka pasur sezon edhe më të mirë me Zidane. Krahët e mbrojtjes kanë qenë të përkryer këtë sezon. Danilo është pajtuar që s’do të jetë kurrë ai që është pritur. Tek ky është vërejtur më së miri menaxhimi i Zidane.
Mesfusha
Çfarë do të ndërroje në mesfushën më të mirë në botë?! Do të largoje Jamesin e parehatuar, e edhe do të angazhoje më shumë Marcos Llorenten. Një ardhje eventuale e Dani Ceballos veçse do të jepte siguri për Kroos, Modric dhe Casemiron i cili këtë vit ka qenë i papërshkrueshëm.
I papërshkrueshëm ka qenë edhe Isco, i cili po di të adaptohet si mesfushor ofensiv sipas nevojës.
Sulmi
Në fakt manipulimi me pjesën ofensive të sulmit ka qenë mjeshtëria më e madhe e Zidane ndoshta. Dhe në këtë pjesë ka angazhuar talentet më të mira që ka, me Marco Asension e Lucas Vazquezin. Qendra e sulmit ka pasur një Benzema të ringjallur, e me Moratan mund të ndërtojnë një të ardhme të artë.
Ekstremja
Po bëhet muhabet shitja e Ronaldos. Lojtari më i mirë në botë ka edhe nja dy vite të mira në vete, e si qendërsulmues mund t’i shtoj edhe nja tri ndoshta pas. Por, 150 milionë euro për të, së paku gjysmën për Benzeman e Bale, me 300 milionë të hyra Reali do të mund të siguronte një ekip për qejfi të Zidane. Plus largimi i James.
Mbappe si qendërsulmues, Ousmane Dembele si krahë sulmi, ose edhe Pierre Emerick Aubameyang. Njërin nga portierët, e edhe Verrattin. Pa asnjë largim, por edhe pa asnjë titull ndoshta sezonin e ardhshëm (tri herë me radhë Liga e Kampionëve do të bënte dinastinë më të madhe që nga Milani i 90tave, e Bayerni i 70tave), do të shërbente për rregullimin e një makinerie që do të shkelte gjeneratat në dekadën e ardhshme. Një gjeneratë galatikësh.