KUPA e KOSOVËS: ISTOGU 1-1 A&N (7-6)
Nëntë seri te 11-metërshat, për të përcaktuar Istogun gjysmëfinalist të fundit
18 March, 2021 @15:51
Dueli i fundit i çerekfinales së Kupës së Kosovës, është dashur të shkojë në vazhdime, e pastaj edhe në penallti të zgjatura për të përcaktuar gjysmëfinalistin e fundit të garës.
Istogu ka arritur që në një përballje dramatike të mposht A&N të Prizrenit me rezultat 1-1, 7-6 pas penalltive.
Në një duel të kujdesshëm fillimisht dhe me akcione të matura në pjesë të dytë, ka qenë Egzon Kurteshi që i dha epërsinë troftave në minutën e 75 të ndeshjes për 1-0.
Më pas, A&N e drejtuar nga Megzon Visoka u vërsul në portën e Valmir Hajzerit për të kërkuar barzimin në minutat e mbetuar të lojës.
Dhe befasisht, goli erdhi në minutën e fundit të ndeshjes, kur mysafirët barazuan në minutën e 90 të ndeshjes për 1-1. Shuti i Albutrint Morinës mori kahje tjetër nga mbrojtësi Fatmir Rexhaj për 1-1.
Kjo bëri që ndeshja të shkonte në vazhdime. E ato të zhvilluara në 2 herë nga 15-minuta, nuk sollën ndryshim rezultati, përkundër rasteve më të mira të prizrenasve, ku u theksuan Diellon Dragusha e Hasan Hyseni dhe kështu ndeshja u desht të përcaktohej pas ekzekutimit të penalltive.
E aty, pak më të koncentruar ishin vendasit, që pas serisë normale prej 5-goditjesh për secilin, në atë një-me-një, në serinë e nëntë të 11-metërshave siguruan gjysmëfinalen historike, pasi që Istogu për herë të parë po e arrin këtë nivel të garave.
Penalltitë:
ISTOGU | A&N | ||
Qendrim Jahaj GOL | Albutrint Morina GOL | ||
Fatmir Rexha GOL | Hasan Hyseni GOL | ||
Ragip Mazrekaj GOL | Durim Gashi X | ||
Egzon Kurteshi GOL | Valdo Zeqaj GOL | ||
Erjon Qeta X | Lorik Rudi GOL | ||
Dardan Bajraktari GOL | Stefan Kocev GOL | ||
Florent Rexhaj X | Vilson Lika X | ||
Mario Stefan GOL | Diellon Dragusha GOL | ||
Valmir Ademaj GOL | Altin Sylejmani X |