OPINION
Një trajner për kurban
Shkruan: Luan Morina
5 February, 2019 @11:55
“’Pakënaqësi ekstreme’ ishte me metodat dhe intensitetin e stërvitjeve të Carlos të cilat konsiderohen të padenja për një top-ekip. Bordi duhej të vepronte, dhe vendimi për shkarkimin e Carlos ishte marrë në Paris.” Është kjo deklarata e Uli Hoeness, presidentit të Bayernit pas shkarkimit të Carlo Ancelottit.
Ancelotti është trajneri i fundit i cili ka fituar Ligën e Kampionëve me dy ekipe të ndryshme, nga katër tjerë. Dy nga këta kanë fituar titujt e dytë me Bayernin - Hitzeld dhe Heynckes. Ancelotti është në një shoqëri edhe më të ngushtë – atë të kampionëve të trefishtë të Evropës – me Bob Paisley dhe Zinedine Zidane.
Një ndeshje e Pogbas, kushton 2 milionë euro!!!
Megjithatë, metodat dhe intensiteti i tij nuk ishte i përshtatshëm për Bayernin e Mynihut. Më saktë, pesë lojtarët kyç – Ribery, Robben, Muller, Hummels, dhe Boateng. Të pesë këta, një vit e gjysmë pas shkarkimit të Ancelottit janë në plan të dytë tek ekipi bavarez.
17 milion e 212 mijë euro në vit merr pagë neto nga ekipi i Manchester Unitedit, kampioni i botës dhe ish-transferimi më i shtrenjtë në botë – Paul Pogba. Dy vite e gjysmë më pas, pasi është paguar 42 milionë euro neto dhe 105 milion për t’u transferuar nga Juventus, Paul Pogba ka zhvilluar 79 ndeshje. Përkthyer në mënyrë të thjeshtë, për një ndeshje të Pogbas, Manchester United ka shpenzuar 2 milion euro!
Çdokush do të arrinte sukses me Unitedin?!
Vetëm pas dy vite e gjysmë, gjatë të cilave Pogba për të cilin Sir Alex Ferguson kishte deklaruar se “nuk ka treguar respekt për neve… besoj që është më mirë ta bëjë këtë larg nesh” ishte ngritur edhe në shkallën e kapitenit të ekipit, pasi ishte provuar në të gjitha pozitat e mundshme pos portier, Pogba ka nisur të shfaq potencialin e tij. Krejt kjo pas largimit të Mourinhos.
Deklarata e Tom Ince se edhe ai do të kishte pasur këtë sukses me Manchester Unitedit është goxha me vend. Ole Gunnar Solskjaer ka dështuar në ekipe më të dobëta, por edhe tek Manchester United nuk është që po provon diçka që nuk ka bërë paraardhësi i tij në dy vitet e gjysmë të kaluara tek ky ekip. Ndoshta edhe Polloshka do të bënte më shumë, por dyshoj që do t’ia arrinte me gjaknxehtësinë që ka.
Superylli apo ekipi?
Jose Mourinho ishte shkarkuar edhe nga Chelsea, lojtarët e të cilit ekip fituan një ligë të kampionëve me Roberto Di Matteon i cili tani mund të fitojë një lemzë pasi ka kohë që nuk e ka përmendur askush! E njëjta ndodhi edhe me periudhën e dytë të tij, dhe më pas me Conten e tashti edhe me Sarrin!
Balanca në peshoren trajner – lojtarë ka nisur të rritet në anën e këtyre të dytëve kohëve të fundit. Dhe kjo është më në pah tek ekipet e popullarizuara ku lojtarët kyç janë më të mëdhenj se ekipet. Cristiano, Messi, Neymar pos që bëjnë kontratat për qejfi të tyre, edhe mund marrin vendime sa i përket trajnerëve. Këtu kemi edhe Pogban, Hazardin i cili nga sezoni më i mirë u shndërrua në sezonin më të keq në ligë për Chelsean, dhe një super-aktor si Arjen Robben.
Ekipet si Manchester United, Bayern, Barcelona, Chelsea, e PSG të menaxhohen sipas politikave dhe qejfeve të yjeve të tyre, është një hap drejt humbjes së statutit të tyre prej ekipeve serioze. Por, a vlen statuti dhe titujt më shumë se qejfet e yllit kryesor? Çfarë mendoi ju?