PO I DRIDHET KARRIGIA!
Nottingham Forest bisedon me dy trajnerë, Cooper në pritje!
19 December, 2023 @15:27
BBC Sport ka bërë të ditur sot se Nottingham Forest ka biseduar me dy trajnerë si opcion për të zëvendësuar Steve Cooperin, që ende është trajner i ekipit, por të cilit karrigia po i luhatet për shkak të rezultateve jo të mira me skuadrën.
Njëri ndër ta është ish-trajneri i Eintracht Frankfurtit Olivier Glasner, ndërsa i dyti është ish-trajner i Wolves dhe Tottenham, Nuno Espirito Santo. Ky i fundit, tash duket të jetë më i preferuari për ekipin e Forestit.
Steve Cooper ka përkrahjen e madhe të adhuruesve të Nottingham Forestit, por pronari i klubit Evangelos Marinakis po dyshon nëse ai do të duhet të qëndrojë ende në krye të shtabit teknik të skuadrës.
Forest deri në fund të vitit ka edhe tre ndeshje, pret Bournemouthin këtë të shtunë, ndërsa i shkon Newcastle Unitedit më 26 dhe pret Manchester Unitedin më 30 dhjetor.
Nuno Espirito Santo së fundi ka drejtuar ekipin arab Al-Ittihad prej ku u shkarkua në nëntor të këtij viti dhe tash është trajner i lirë në treg. Ai kishte qëndruar vetëm katër muaj në Tottenham pas një serie të mirë me Wolvesin (2017-2021).
Nottingham Forest në 13 ndeshjet e fundit në Premier Ligë ka arritur të regjistrojë vetëm fitore, ndërsa në këto ndeshje ka marrë në total tetë pikë. Ekipi aktualisht po qëndron në pozitën e 17 të renditjes tabelare të Premier Ligës pas 17 xhirove me 14 pikë në total.