IKËN GOLEADORI
Oferta qesharake, largon Pejicin nga Kukësi
1 August, 2017 @9:52
Përkundër se u bë golashënuesi më i mirë i stinorit të kaluar, ndihmoi që ekipi të fitojë titullin e parë kampion në histori të klubit - oferta qesharake që iu bë Pero Pejicit nga kryetari i klubit të Kukësit, e largoi atë drejt Kroacisë.
Mediat tiranase shkruajnë se Safet Gjici, kryetar i Kukësit, e dinte strategjinë për largimin e Pejicit. Atij duhej t’i bënte ofertë të vogël financiare për të vazhduar kontratën.
“Jam sulmues dhe kam një çmim. Kurrsesi s’pranoj atë që më ofroi Gjici. Më mirë mos të them shifrën, ishte injoruese, qesharake, për të gjithë atë që kam bërë për Kukësin,” ka thënë Pejic për Panorama Sportin.
Kroati, që është njëri ndër sulmuesit më të mirë të huaj që ka pasur Kategoria Superiore ndër vite dhe golashënues i dëshmuar, karrierën do ta vazhdojë në Kroaci, pasi që ka gjetur menjëherë angazhman te Slaven Belupo.