MEDIA

Neymar drejt PSG-së
31 July, 2017 @14:24
Ajo që po e kërkon Paris St Germain, ka filluar të realizohet, sipas të gjitha gjasave.
Ylli brazilian i Barcelonës, Neymar, sot nga të gjitha mediat europiane po përfolet se shpejt do të udhëtojë për në Katar, ku do të kryejë testet mjekësore për tu bërë edhe zyrtarisht pjesë e Paris St Germainit.
Barcelona ka thënë se do të pranojë ofertën e parisienëve të pasur për lojtarin e tyre, nëse e arrijnë shifrën e kërkuar për prishje të kontratës së Neymarit, që figuron të jetë 222 milionë euro.
Nëse realizohet transferi në fjalë, Neymar do të mbahet në mend si transferi më i shtrenjtë në histori të futbollit.
Për më tepër, Neymar ka festuar me Barcelonën International Champions Cup 2017 ditë më parë, ku ekipi katalonas ka shënuar 3 fitore në 3 ndeshje për tu stolisur me medaljen e turneut prestigjioz parasezonal, ndërsa braziliani është dalluar me formën e lartë të treguar në këto ndeshje.
Njejtë, mediat kanë bërë të ditur se babai i Neymarit, që është edhe menaxheri i tij, ka shtyer transferimin e tij deri në muajin gusht, për shkak se në një pikë të kontratës së brazilianit me Barcelonën shkruan se nëse Neymar do të jetë më 31 korrik ende lojtar i Barcelonës, ai do të merr si shpërblim për lojalitet, 26 milionë euro!
Barcelona para kësaj, kishte kërkuar nga Paris St Germaini, mesfushorin e tyre kreativ, Marco Verratti, por parisienët as që biseduan për shitjen e italianit.
Ndërkaq, PSG ka nisur stinorin zyrtar me Superkupën e fituar, ku ekipi i drejtuar nga Unai Emery ka mposhtur Monacon 2-1 për të ngritur trofeun.