PHILIPPE COUTINHO

Nuk është në shitje
31 July, 2017 @23:04
Truri i Liverpoolit, Philippe Coutinho, nuk është në shitje, përkundër interesimit të madh që ka Barcelona për te, ka thënë trajneri gjerman i ekipit anglez, Jurgen Klopp.
“Nuk ka asgjë të re. Fjala “nuk” tregon se ai s’ka mundësi të shitet,” ka përsëritur Klopp sot, shkruan BBC Sport sonte.
Braziliani 25 vjeç ka qenë kapiten i Liverpoolit në miqësoren që ekipi nga Anfield Road e fitoi ndaj Hertha Berlinit të shtunën, ndërsa nesër do të luajë ndaj Bayernit në Audi Cup.
Coutinho, që erdhi për 8.5 milionë funta nga Inter te Liverpool në janar të vitit 2013, ka nënshkruar kontratë të re me Liverpoolin këtë janar, ndërsa ka shënuar 14 gola në stinorin e fundit të Premier Ligës, që ka qenë më produktivi për te prej se u bë pjesë e të kuqve.