KOSOVA - ISHUJT FAROE
Olsen: Kosova favorite në letër, por nuk ka favorit absolut
9 September, 2018 @17:47
Një ditë para ndeshjes me Kosovën, në Prishtinë konferencë për shtyp mbajti danezi Lars Olsen, përzgjedhësi i Ishujve Faroe. Bashkë me përzgjedhësin në konferecë u paraqit edhe Atli Gregersen, kapiteni i ishullorëve.
“Ne vijmë këtu pas një fitoreje kundër Maltës, e cila shfaqi një lojë të mirë dhe kjo na ndihmon shumë. Kosova ka një ekip të mirë dhe ata barazuan me Azerbajxhanin.
Nuk do të jetë e lehtë, pasi që luajnë para publikut të vet, e sa kam dëgjuar në stadium nesër do të jenë 12 mijë deri në 13 mijë adhurues dhe këtë mbështetje do ta ndjejnë edhe futbollistët në fushë.
Ne jemi takuar në Frankfurt me Kosovën ku humbëm 2:0, por ka kaluar një kohë e gjatë dhe shumë futbollistë tek ne nuk janë më, ndërsa nuk e di në anën e Kosovës se a janë ata futbollistë ende, pasi nuk kam njohuri për përbërjen.
Ndonëse në grupin tonë Kosova është favorite në letër, unë mendoj se kemi një grup shumë të baraspeshuar dhe nuk ka favoritë absolut.
Ne kemi pritur gjatë për këtë dhe do të orvatemi të bëjmë më të mirën.” - u shpreh përzgjedhësi i Ishujve Faroe, përcjell faqja zytare e FFK-së.
GRUPET DHE ORARI - LIGA E KOMBEVE
Pas konferencës, përfaqësuesja e Ishujve Faroe zhvilloi stërvitje në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku do të zhvillohet ndeshja e nesërme.