ALEX MCLEISH
Nën presion, Shqipërinë duhet ta mposhtim
9 September, 2018 @14:44
Pas disfatës së thellë nga Belgjika në miqësoren e së premtes, selektori i Skocisë Alex McLeish ka thënë se Skocia duhet të fitojë patjetër ndaj Shqipërisë.
Humbja 0-4 nga Belgjika, është humbja më e thellë e Skocisë në 45 vitet e fundit në shtëpi, ndërsa në Hampden Park nesër presin kuqezinjtë, që vijnë nga fitorja ndaj Izraelit në Elbasan Arena.
Skocia është në krizë të rezultateve dhe ka regjistruar 4 disfata në 5 ndeshjet e fundit të saja në të gjitha garat.
“Natyrisht që dua të fitojmë dhe atë duhet patjetër të fitojmë. Nëse humbim ose barazojmë ndaj Shqipërisë është start jo i mirë i Ligës së Kombeve. Por ne, dëshirojmë që të fluturojmë në start, me një fitore ndaj Shqipërisë,” ka thënë McLeish për skocezen Herald.
McLeish gjithashtu nuk beson se lojtarët janë poshtë me moral pas humbjes së thellë ndaj Belgjikës.
“Nuk ka pse të çuditesh nga një humbje e tillë nga një ekip që përfundoi në vend të tretë të Botërorit. Lojtarët e dinë rëndësinë e ndeshjes ndaj Shqipërisë dhe nuk do të gabojnë. Do të fitojmë,” ka shtuar selektori 59 vjeçar i Skocisë, që ka marrë për herë të dytë në karrierë drejtimin e reprezentacionit.