ANALIZË: POST AZERBAJXHAN
Pika 1
Shkruan: LUAN MORINA
8 September, 2018 @9:56
Pika e parë në Ligën e Kombeve mund të konsiderohet si mision i kryer në Baku. Pritjet ndaj kundërshtarit kryesor në grup ishin të merret një pikë. Megjithatë, nuk duhet nënçmuar as dy ekipet tjera, sidomos Ishujt Faro të cilat shumë lehtë mund të dalin fituese të grupit.
Mendoj që të hënën mund të jetë ndeshja vendimtare për të dyja ekipet. Fituesi në Prishtinë do të mbetet favoriti kryesor për të kaluar tutje, karshi Azerbajxhanit!
E kundër Azerbajxhanit, Challandes nisi me një formacion më me përvojë. Kisha hezitime me vijën e mbrojtjes, sidomos me minutat e paktë të Rrahmanit tek Dinamo e Zagrebit. Por, vija defensive, ndonëse goxha e ulët, ishte në nivel. Ishin të shkëlqyeshëm në pjesën e parë.
Megjithatë, me të nisur pjesa e dytë e lojës filluan të binin një nga një treshja e mbetur. Aliti ishte i pari që nisi të mbetej i shtrirë disa herë radhazi, pastaj Paqarada i cili pati pjesën më të mirë në karrierën e tij për Kosovën nisi të dështojë në anën e majtë, dhe krejt në fund edhe Vojvoda i cili ishte ndër më të mirët në pjesën e parë shfaqi shenja lodhjeje.
Më i miri në pjesën e parë qe Kryeziu. Ishte i vetmi i cili merrte guximin të lëvizte topin në të gjitha drejtimet, sidomos me pasimet e gjata të cilat mungonin. Kjo nisi pas çerek ore lojë me të parë hapësirën e cila lejohej, falë vijës së lartë të sulmit të vendasve, të cilët çuditërisht nuk bënin presion mbi dyshen e mesfushorëve qendror. Megjithëkëtë, Shala pati nja dy ndërhyrje goxha të rrezikshme në pjesën e parë. Pos kësaj, nuk ishte mjaft i përqendruar edhe me lëvizjen e topit.
Problemi tek ekipi ishte ndërlidhja ndërmjet vijave të ekipit. Kemi shumë raste kur Zhegrova mbetej i mbyllur me deri gjashtë lojtarë vendas, dhe nuk kishte askënd afër për të kërkuar topin. Në raste të rralla Vojvoda depërtonte nga e majta, por për shkak të mbrojtjes së rezultatit, vija defensive qëndronte në takt, bashkë me qendrorët.
Celina mund të dukej si lojtari më ‘i fjetur’ por ishte pika kryesore në zhvillimin e aksioneve dhe lirimin e krahëve. Njëjtë funksiononte edhe Muriqi detyra e të cilit ishte më shumë të kthente topat e lartë mbrapa se sa të provonte golin.
Depërtimet e Zenelit ishin të shkëlqyeshme, por prekja e fundit mungonte. Zhegrova për moshën dhe përvojën që ka, nuk ka mundur të bënte më tepër në anën tjetër. Celina po përshtatet shkëlqyeshëm me pozitën të cilën këtë sezon po luan tek Swansea. Në tetor pres edhe më shumë nga ai në këtë pozitë.
Inkuadrimi i Rashicës ishte me mend. Për dallim prej ndeshjeve tjera, Rashica nuk përtonte të kthehej edhe në ndihmë mbrojtjes. Kjo dëshmon për pjekurinë e tij me kalimin në Gjermani. Avdijaj nuk qe shumë i dukshëm në terren, por kujtojmë që luajti të njëjtën pozitë me Celinën, goxha mirë të mbuluar nga vendasit dhe në hijen e Muriqit. Edhe më shumë më pëlqeu inkuadrimi i Vocës i cili po kalon një sezon të shkëlqyeshëm në ligën zvicerane.
Në fund mund të na vije keq për shanset e humbura, por jemi mirë duke ecur. Sidomos në mbrojtje kemi përparuar. Në pjesën ofensive mbështetemi tek individualizmi kryesisht, por ka pasur aksione goxha mira të ndërtuara.
Është një përparim i konsiderueshëm në krahasim me ndeshjen me Finlandën. Vetëm shpresojmë që ndeshjet vijuese të jenë shumë më të mira se sa pas Finlandës. Nuk është i pamundur inkuadrimi në Ligën C!
KUJDES me Ishujt Faro!