PARA DUELIT
Organizatori i uritur ndaj debutuesit befasues
3 July, 2016 @12:38
Perdja e çerekfinalistëve do të bie poshtë sonte në Stade de France. Organizatori i uritur për të fituar turneun, Franca, ka përballë debutuesin simpatik që befasoi krejt botën e futbollit, Islandën.
REFERI dhe MUNGESAT
Gjyqtari kryesor i ndeshjes është holandezi, Bjorn Kuipers, ndërsa francezët nuk do të mund të llogarisin në mesfushorët Kingsley Coman (i lënduar), N’golo Kante (kartonë) dhe mbrojtësin Adil Rami (kartonë).
Te Islanda nuk ka mungesa të raportuara.
RRUGËTIMI
Franca doli e para në Grupin A, duke e mposhtur Rumaninë e Shqipërinë, si dhe duke barazuar me Zvicrën. Pastaj në rrugë për çerekfinale, eliminoi Irlandën 2-1.
Në anën tjetër, Islanda, doli si e dyta nga Grupi F, duke e lënë Portugalinë e Austrinë pas saj në grup. Befasoi me lojë të mirë, por fitoren e morri vetëm në ndeshjen e fundit të grupit.
Sidoqoftë, gjithçka dëshmuan ndaj Anglisë favorite absolute në të tetën e finales, kur rikthyen ndeshjen dhe i eliminuan ‘tre luanët’.
FITUESIN, E PRET GJERMANIA
Qyshdo që të jetë rezultati final i kësaj ndeshjeje, islandezët do të jenë triumfues moral, me arritjen e tyre historike.
Franca e di se përveç punës ndaj Islandës, do të ketë finalen para finales ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale, nëse e kalon pengesën e sontme.
E Islanda në anën tjetër, përveç rekordeve tjera - nuk ka çka të humb - me dëshirë dhe vetëbesim, nuk ndalen së kërkuari edhe më nga europiani i ëndrrave për vendin e tyre.