KOLUMNE
Pak durim për Kosovën!
Shkruan: Luan MORINA
10 October, 2016 @13:05
Përmendet se Albert Ajnshtajni ka thonë që ‘Budallallëk është të provosh të njëjtën gjë duke pritur rezultatin e ndryshëm.’
Ndoshta Albert Bunjaki bazohet në këto fjalë që bën ndryshime në çdo ndeshje të Kosovës deri tashti. E kjo është gjëja më e mirë që po e bën për ekipin e Kosovës. Ndryshime në formacion, në çdo ndeshje duke tentuar të gjej ndonjë formulë më të mirë për sukses. Derisa ndryshimet ndodhin deri të gjendet suksesi, nuk bën të humbet as shpresa. Por, ka nevojë edhe për disa ndryshime. Shumë ndoshta.
Ka gjëra shumë pozitive që mund të nxjerrim nga ndeshja me Ukrainën. E para është që nuk kemi pasur frikë të mbanim topin dhe kishim më shumë guxim të pasonim. Pasimet e shkurtra zonale ishin mjaft të suksesshme edhe pse sot mungonte hapja e krahëve të mbrojtjes. Ndoshta kjo për shkak të hapësirës së krijuar kundër Kroacisë.
Është koha që Leart Paçarada të jetë më i vëmendshëm në mbrojtje. Fanol Përdedaj ishte pak më stabil, ngjajshëm si Amir Rrahmani me Alban Pnishin. Duhet më shumë komunikim dhe më pak rotacion në këtë vijë të mbrojtjes. Vuajmë në tranzicion dhe në vijën e ofsajdit.
Angazhimi i Alban Mehës me krejt përvojën e tij në mesfushë për mua ka qenë ndër veprimet më të mençura të Bunjakit. E qartë që nuk është në pozitën e tij të zakonshme, por megjithatë ka sjell një siguri dhe qetësi në qendrën e mesfushës mbrëmë. Kjo është ndihmuar nga hapësira më e madhe për Hekuran Kryeziun dhe gatishmëria e Herolind Shalës për t’u kthyer më shumë mbrapa për dallim nga Arbër Zeneli që është më i prirë për të ofensivë. Edhe Valon Berisha nuk është i panjohur me pjesën defensive të mesfushës dhe ndoshta do të kishte qenë më i mirë angazhimi i një krahu më ofensiv, ndoshta Bernard Berisha nga fillimi.
Vedat Muriqi ka qenë i lënë paksa vet, derisa Milot Rashica çdo ditë e më shumë po adaptohet me aftësitë e tija prej një krahu të rrezikshëm. Por, sikur atij, edhe të tjerëve ju mungon adaptimi i lojës ekipore. Komunikimi, pasimi, janë diçka që duhet të përdoren më shumë. Taktikisht duhet një angazhim më i madh në kombëtare.
Injorimi i kundërshtarëve nga Bunjaki ndoshta është gjëja më e rëndësishme te reprezentacioni i Kosovës. Njëkohësisht është ajo që po na kushton me shumë gola të pranuar, por ka anën e saj pozitive. Besoj që Bunjaki po provon t’i jap një formë, një skelet kombëtares tonë me formacionin 4-2-3-1.
Si kombëtare e re që jemi, ne nuk do të duhej të luanim futboll ofensiv me asnjë kombëtare në Evropë. Së paku jo me nja 35-40 sosh. Por, me futboll defensiv dhe rezultat nuk do të zhvillohet as kombëtarja si ekip, as lojtarët.
Na duhet formacion ofensiv, na duhen eksperimentime, na duhen liri në fushë. Golat le të bien. Gjashtë, shtatë, dymbëdhjetë! A mendojmë se do të kualifikohemi për në Rusi? Seriozisht? Gjithçka mbi pozitën e pestë është mrekulli. E pesta do të ishte sukses. Një fitore eventuale ndaj Finlandës si vendas dhe çfarëdo pike që fitojmë.
Jemi në fillim. Jemi me një ekip të denjë për çdo Olimpiadë, apo edhe garë U21. Dy vjet janë pak për Bunjakin. Për krejt neve. E vetmja garë që do të mund të konkurronim tri pozitat e para do të ishte Evropiani 2024. Lëreni rehat Bunjakin, stafin, federatën, e lojtarët. Është koha e rritjes, e pjekjes. Nuk jemi në mesin e 15 kombëtareve më të mira Evropiane që shkojnë në Botëror. Nuk jemi as në 40 kombëtaret më të mira. Por, do të ngjitemi deri diku. Durim.