KIKA - ISTOGU
Penalltitë vendosën
9 December, 2018 @16:20
Ndeshja më interesante e dueleve të së tetës së finales së Kupës së Kosovës është zhvilluar në Hogosht.
Dueli nuk pati fitues pas kohës së rregullt, e as pas vazhdimeve, derisa çerekfinalisti u përcaktua nga penalltitë, ku hero i ndeshjes u bë portieri i Kikës, Burhan Sermaxhaj, që mbrojti tre penallti të mysafirëve nga Istogu, për të triumfuar Kika 3-1 me penallti, pasi që koha e rregullt e ndeshjes kishte përfunduar 2-2.
E rezultati 2-2 u arrit në minutën e 90 të ndeshjes, kur Lirian Ferati nga tentimi i dytë shënoi në portën e Istogut për të çuar ndeshjen në vazhdime.
Penalltinë e parë të tij e kishte mbrojtur portieri i Istogut, por referi i ndeshjes Visar Berisha, kishte kërkuar përsëritjen e saj për shkak të një parregullsie.
Pjesa e parë e duelit përfundoi pa gola, derisa skuadrat matnin forcat në fushë.
E që në fillim të pjesës së dytë Istogu kaloi në epërsi përmes një goli të bukur të shënuar nga Alban Dreshaj (49’, 0-1) nga gjuajtja e lirë.
Kjo i dha krahë troftave, të cilët shpejt shtuan avantazhin përmes Florent Rexhajt, që shënoi pas 6 minutash për 0-2.
Vendasit u hodhën plotësisht në sulm dhe zbutën epërsinë me anë të Augent Latifajt, 1-2. E në minutën e 90 barazuan me Feratin në 2-2.
Në vazhdime Ferati qëlloi shtyllën e Istogut, por gol nuk kishte dhe kështu takimi u desht të vendosej pas penalltive, ku Kika u tregua më e saktë, për të cilën shënuan Betim Syla, Augent Latifaj dhe Lirian Ferati, derisa Sermaxhaj në portë mbrojti tre penallti të Istogut.
Kika kështu është futur në mesin e 8 ekipeve më të mira të Kupës së Kosovës për këtë stinor.
Më 11 dhjetor 2018 në shortin që do të hidhet në zyret e FFK-së, Kika do të kuptojë kundërshtarin e çerekfinales.