ANALIZË
Euro2020 shorti – Analizë
Shkruan: LUAN MORINA
8 December, 2018 @21:22
Kam dashur një tjetër short për Kosovën në këto kualifikime për Euro2020. Polonia, Austria, Izraeli, Estonia, dhe San Marino ishin kombëtaret që preferoja. Pra një grup prej gjashtë kombëtaresh që mos të kemi nevojë të hallakatim nëpër botë për kombëtare të cilat do të pranonin të luanin me ne! Nuk mund të ankohem as me këtë short.
Por, janë vetëm dy pozitat e para që na dërgojnë në Euro2020, dhe në këtë periudhë kohore, që Kosova të renditet në këto dy pozita, gjasat janë goxha të vogla.
Përkundër të gjitha, nuk mundemi të marrim si të lehtë të tre kundërshtarët tjerë në grup, pos Anglisë. Kemi kaluar një vjeshtë me kombëtare që renditen së paku një nivel më poshtë se Çekia, Bullgaria, e Mali i Zi.
Megjithatë me të tria, sidomos me Malin e Zi e Bullgarinë duhet të jemi të zorshëm të mposhtemi. Besoj që mund t’u vëmë ballë, dhe para vjeshtës, në tri ndeshjet e para – dy me Bullgarinë, dhe një me Malin e Zi të kemi së paku dy pikë! Ky është minimumi, ndonëse me 7 pikë nga këto ndeshje mund të konsideroheshim si në qiellin e shtatë!
Varësisht prej rezultateve të marsit dhe qershorit, ashtu do të na ecën edhe shtatori e nëntori. Besoj që pas ndeshjes me Çekinë në Prishtinë do të vendoset fati i ynë. Fati ka qenë në anën tonë pasi që në terminët kur kemi nga një ndeshje, luajmë në Prishtinë kundër Bullgarisë dhe Malit të Zi. Si rrjedhojë, në planifikimin e ndeshjeve miqësore do të duhej të zgjedhim të zhvillojmë ndeshjet si vendas për të mos pasur lodhje nga udhëtimi eventual, dhe mundësisht që ndeshjet miqësore t’i zhvillonim të mërkurave për të pasur ditë të mjaftueshme për të rikuperuar.
Mund të përfundojmë të fundit në grup, dhe nuk do të ishte fundi i botës! Kemi pasur vjeshtë të mrekullueshme, por jemi ekip që ka nevojë për rritje. Gjithçka mbetet për pranverën e vitit 2020. Pozita e tretë në grup do të ishte sukses i madh, ndonëse me pozitën e katërt do të duhej të ishim të kënaqur.
Rruga për në Euro2020 është mision i vështirë, i pamundur, por mrekullitë ndodhin!
Shqipëria
Turqia po kalon në një periudhë të errët! Nuk është kjo Turqia e pas viteve të Kupës së Botës 2002 kur nuk mundnin të ndërronin gjenerata. Është Turqia e Yildirim Demirorenit e mbështjellë me skandale jashtë fushe, me një federatë jo-funksionale, dhe talente që shkojnë dëm me trajner të plakur si Mircea Lucescu. Mentalitetit turk i nevojitet dikush që nuk i përshtatet atij mentaliteti. Kjo s’do të ndryshojë, dhe këtë mund ta shfrytëzojë Shqipëria.
Një vjeshtë të tmerrshme patën islandezët të cilët dëshpëruan në Ligën e Kombeve. Janë në ndryshim të ekipit të ëndrrave të 2016tës, dhe nuk do ta kenë të lehtë të përballen me një Shqipëri të këndellur. Them të këndellur, pasi presioni i jashtëm mbi Panuccin ka dëmtuar ekipin i cili nuk mund të kompozohet pas Euro2016. Ka nevojë për një skelet, një kapiten të pandryshueshëm, një trajner të sigurt, të fuqishëm psikikisht ndaj ambientit shqiptar.
Andorra dhe Moldavia duhet të sigurojnë 12 pikë për Shqipërinë, dhe 8 pikë nga ndeshjet me Turqinë e Islandës do t’i dërgonin në Euro2020. Ka talente të mjaftueshme, vetëm se nevojitet sistemimi i drejtë i tyre.
Tjerat
Nëse Anglia kualifikohet nga finalet e Ligës së Kombeve, atëherë në Euro2020 shkon kombëtarja finaliste. Nëse të katrat kualifikohen me anë të kualifikimeve, e radhës është kombëtarja me rezultatin më të mirë në Ligën e Kombeve, nisur nga Liga A e teposhtë. Pra, Kosova nuk mund të përfitojë nga suksesi i Anglisë në Ligën e Kombeve. Nuk ka asnjë mënyrë që skuadra e tretë në Grupin A të shkojë në Euro2020.
Nga Grupi B, Portugalia e Ukraina janë favorite, dhe Serbia me trajnerin aktual nuk ka shanse të gjej rrugën në Euro2020. Grupi C është i përcaktuar qysh në fillim. Irlanda Veriore nuk ka cilësinë për të mposhtur këto dy ekipe. Irlanda u zhvendos në grupin D, pasi asnjë grup nuk guxon të ketë tri shtete, qytetet e të cilave ishin përzgjedhur të organizojnë Euro2020. Kjo për arsye se vetëm dy kombëtare mund të kualifikohen nga grupi. Për këtë arsye Irlanda u zhvendos në D ku mund të sfidojnë edhe Zvicrën edhe Danimarkën. Danezët kanë mënjanuar ata herën e fundit në kualifikime për Rusi, dhe etja për revanshim është më e madhe se sa cilësia që kanë irlandezët kundrejt tyre.
Grupi E mund të jetë ndër më të baraspeshuarit me Sllovakinë e Hungarinë të gatshme të rrezikojnë Uellsin. Në Grupin F, Spanja është e sigurt para Suedisë e Norvegjisë, të cilat do të kenë rastin të shkojnë tutje me anë të Ligës së Kombeve. Por, asnjë nuk është më i paqartë se grupi D. Bile do të vendosja edhe Maqedoninë (pak edhe subjektivisht pasi do të na lehtësonte neve rrugën), të konkurrojë Poloninë, Sllovenin, Izraelin, e Austrinë. Liga e Kombeve mbetet rruga e vetme edhe për Skocinë në Grupin I, gjersa grupin që do e kisha preferuar kishte me qenë Grupi J, por nuk e di pse UEFA na bëri armiq me Bosnjë e Hercegovinën gjatë shortit. Do të doja të shihja finlandezët, gjersa është një grup i mrekullueshëm për italianët dhe formën e tyre luhatëse.
Për neve, misioni kryesor duhet të mbetet ngritja psikike e cila ka marrë hov të madh me Challandes. Euro2024 mbetet caku më i drejtë për Kosovën, për një kualifikim eventual!