BALLKANI FITON TITULLIN NË SHTËPI TË NDJEKËSIT KRYESOR
Për herë të tretë me radhë, Ballkani kampion i Kosovës
18 May, 2024 @17:43
Me fitore të shënuar ndaj ndjekësit kryesor në luftë për titull në “Zahir Pajaziti” të Podujevës, Ballkani është bërë kampion i Kosovës sot, edhe zyrtarisht për herë të tretë me radhë.
Ekipi suharekas i drejtuar nga tiranasi Ilir Daja ka mbrojtur për të dytën herë titullin e kampionit të Kosovës dhe do të merr pjesë në kualifikime për Ligë të Kampionëve këtë verë në garat evropiane.
Ndeshjen e sotme, që kishte plot raste nga të dyja palët, kurse Llapi kërkonte me çdo kusht fitoren për të çuar luftën për titull në xhiro të fundit, e vendosi zëvendësuesi Bernard Karrica që shënoi pas një pasimi të Lindon Emërllahut për fitoren e Ballkanit, Llapi - Ballkani 0-1 [Bernard Karrica 74’].
Me këtë triumf, Ballkani bëhet ekipi i vetëm pas Besës së Pejës që ka fituar tre herë radhazi titullin kampion të Kosovës. Festën me trofeun e kampionit, FFK do t’ia dorëzojë Ballkanit në xhiron e fundit, javën që vjen në stadiumin e qytetit në Suharekë, ku ekipi kampion do të jetë nikoqir ndaj Prishtinës.
Përndryshe me tre titujt e fituar, Ballkani tashmë është i dyti në listën e ekipeve me më së shumti tituj të fituar në Kosovë, pas Prishtinës. Por, me tre tituj të fituar kampioni janë edhe tre ekipe tjera: Drita, Feronikeli, Besa. Prishtina ka 11 tituj kampioni në listën e përgjithshme të kampionëve të Kosovës.