ZEKIRIJA RAMADANI
Për trofe, duhet t’i mposhtim të fortit
18 February, 2021 @16:13
Trajneri shkupjan i Prishtinës, Zekirija Ramadani, që veçse fitoi një trofe me ekipin, pas shortit të sotëm të Kupës së Kosovës, ka folur për faqen zyrtare të klubit.
Prishtina në short mori si kundërshtar Feronikelin e Klodian Duros, që pas disa gabimeve në kampionat, daljen në Evropë po e kërkon përmes garave të Kupës.
“Për të arritur deri te trofeu, normalisht duhet të përballesh me të gjithë rivalët. Fati deshi të na binte shorti me Feronikelin, por të jem i sinqertë momentalisht nuk e mendoj fare Kupën, pasi që nesër kemi ndeshje tejet të rëndësishme kampionale. Ndeshjet e Kupës gjithmonë sjellin befasi, zhvillohet vetëm një ndeshje dhe kur të vjen koha për t’u ndeshur me Feronikelin do ta mendojmë edhe Kupën”, ka thënë kryetrajneri, Zekirja Ramadani.
Kujtojmë, Ramadani mposhti Dritën në finale të Superkupës së Kosovës të zhvilluar në Antalya të Turqisë, për të fituar trofeun e parë të këtij viti.
Gjithashtu, për të dalë në çerekfinale të Kupës, në të tetën e finales Prishtina eliminoi Dritën!
Dueli mes Feronikelit dhe Prishtinës pritet të zhvillohet më 17 mars 2021, ndërsa vendas është ekipi nga Drenasi.
Luhet vetëm një ndeshje dhe fituesi siguron gjysmëfinalen e garës.