MBUSHET ARKA
Përfitimet nga UEFA: Prishtina afro 2 milionëshit
30 July, 2021 @9:59
Kampionja e Kosovës, Prishtina, me kualifikimin në rrethin e tretë të UEFA Conference League, tashmë ka siguruar mbi 1 milionë euro përfitime nga UEFA-ja për pjesëmarrëjet e kësaj vere në gara evropiane.
Kështu, Prishtina së pari ka siguruar 230 mijë euro si pjesëmarrje në rrethin preliminar të Ligës së Kampionëve.
Pas kësaj ka shtuar në arkë edhe 380 mijë euro tjera si pjesëmarrëse në rrethin e parë kualifikues drejt Ligës së Kampionëve, prej ku u eliminua nga Ferencvaros.
Mirëpo, garat ndërkombëtare i vazhdoi në Ligë të Konferencës. E aty, pjesëmarrja në rrethin e dytë i siguroi 350 mijë euro bardhekaltërve, kurse tash me kualifikimin në rrethin e tretë kryeqytetasit i kanë “faturuar” UEFA-së edhe 550 mijë euro.
Gjithashtu, Prishtina i ka të siguruara si kampione e Kosovës 260 mijë euro nëse nuk kualifikohet në fazën grupore të akëcilës garë dhe krejt kjo në total, deri tash kampiones i sjellë 1 milionë e 770 mijë euro.
E nëse Prishtina do të arrijë të befasojë kampionin norvegjez Bodo Glimt - atëherë shifrat kalojnë 2 milionëshin. E kjo kuptohet pas dy ndeshjeve, më 5 e 12 gusht së pari në Kosovë e pastaj ajo e kthimit në Norvegji, për të përcaktuar shifrën.