TRIUMF EDHE NË MIQËSOREN E DYTË
Përsëri fitore me tre të shënuara, por edhe një të pranuar
7 June, 2024 @20:50
Pas fitores ndaj Lihtenshtajnit 3-0, Shqipëria sonte mundi edhe Azerbajxhanin në ndeshjen e dytë dhe të fundit testuese para Kampionatit Evropian “Gjermania 2024”. Kuqezinjtë e Sylvinhos në mënyrë të kontrolluar luajtën ndeshjen, ndërsa avancuan shpejt me golin e të shkëlqyeshmit Nedim Bajrami, i cili më vonë edhe asistoi te goli i tretë i ekipit, në fitoren që Shqipëria e korri ndaj azerëve, 3-1 [Bajrami 12’, Manaj 81’, Laçi 88’ - Qurbanli 90’].
Sylvinho e nisi ndeshjen me formacionin më të fortë që ka, ndërsa në pjesë të dytë bëri katër zëvendësime duke futur në lojë Rey Manaj, Arbër Hoxha, Naser Aliji dhe Enea Mihaj në vend të Armando Broja, Jasir Asani, Mario Mitaj dhe Berat Djimsiti, përkatësisht.
Azerët rrezikuan disa herë portën kuqezi, por Thomas Strakosha u tregua i sigurt, derisa pas minutës së 80-të të ndeshjes me kundërsulme Shqipëria shënoi edhe dy herë për të siguruar fitoren, para se ekipi i Azerbajxhanit të shënojë golin për epilogun 3-1.
Në përgjithësi, paraqitje e mirë dhe e kontrolluar e Shqipërisë, por me rrezikime të panevojshme në mbrojtje dhe pa kreativitet më të madh në sulm. Loja bazohej më shumë në gabime të kundërshtarit sesa në krijim, sidoqoftë, kuqezinjtë me përvojë në fushë realizuan fitore për të kërkuar me këtë edhe nismë të mbarë në EURO 2024, ku do të luajnë ndeshjen e parë - të madhe - ndaj mbrojtësit të titullit të evropianit, Italisë.