1/8: SPURS - JUVENTUS

Foto: UEFA
Përvojë, përmbysje dhe kualifikim
7 March, 2018 @22:50
Përkundër avantazhit pas barazimit 2-2 në Torino dhe lojës së shkëlqyeshme për 60 minuta sonte, Tottenhami u eliminua nga Juventusi, skuadër kjo që zhvilloi një pjesë të dytë tejet të mirë, për të kaluar kështu në çerekfinale.
Londinezët e filluan shumë mirë ndeshjen, shënuan për 1-0 dhe krijuan plot raste të tjera, mirëpo gjithçka u shkatërrua brenda pak minutave, falë përvojës së mysafirëve dhe mbrojtes së tyre të çeliktë.
Kur u mendua se Spurs po shkonin drejt fitores dhe kualifikimit, Juventusi reagoi furishëm. Fillimisht rezultati u barazua nga Higuain, goli i të cilit shkaktoi panikë te vendasit me jo shumë përvojë në ‘skenën e madhe’, ndërsa për 1-2 u përkujdes Paolo Dybala, i cili heshti ‘Wembleyn’ me një super finalizim.
Në minutat e mbetura, Tottenhami provoi ta gjente barazimin që do ta dërgonte ndeshjen në vazhdime, mirëpo Juventusi u mbrojt shkëlqyeshëm dhe e mbylli ndeshjen me fitore, për t’i lënë të dëshpëruar vendasit, të cilët edhe një herë tjetër u treguan të papërvojë në momentet vendimtare të sezonit.
Meritë në këtë kualifikim të Juventusit duhet t’i ipet Massimiliano Allegrit, zëvendësimet e të cilit, Asamoah e Lichtsteiner, dolën të ishin tejet të qëlluara.
Përveç Juventusit, deri më tash çerekfinalen e kanë siguruar edhe Liverpooli, Reali e City. 4 çerekfinalistët e tjerë kuptohen pas një jave, ndërsa shorti për fazën tjetër mbahet më 16 mars në Nyon të Zvicrës.