REAL MADRID - BARCELONA
Pjesa e dytë vendos, Barcelona fiton në Bernabeu
23 December, 2017 @15:07
Lideri i La Ligas, Barcelona, ka shtuar avantazhin ndaj skuadrave përcjellëse me fitore të madhe të shënuar sot ndaj Real Madridit, në El Clasicon e zhvilluar në mesditë.
Real Madrid është mposhtur pas gati dy muajve për herë të dytë këtë stinor në shtëpi në kuadër të La Ligas, pasi që pësoi 0-3 nga katalonasit sot.
Ka qenë Luis Suarez që i dha avantazhin Barcelonës në pjesë të dytë, për t’u pasuar nga penalltia e Lionel Messit dhe krejt në fund goli i Aleix Vidalit, që vulosi rezultatin e ndeshjes.
Barcelona tash ka avantazh 14 pikësh ndaj Realit në La Liga, ku këta të fundit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Njejtë, Barcelona mban distancën 9 pikëshe ndaj përcjellësit të parë, Atletico Madrid në krye të renditjes, para fundit të vitit 2017.
Gjysmëorëshin e fundit të ndeshjes Real Madrid e luajti me 10 lojtarë, pasi që Daniel Carvajal u ndëshkua me karton të kuq, kur ndali topin me dorë, që shkonte drejt portës. Pas kësaj Messi shënoi nga penalltia për 0-2.
Në pjesë të parë, Real Madridit iu anulua një gol për shkak të pozite jashtë loje të Cristiano Ronaldos.
E në pjesë të dytë, Zinedine Zidane reagoi me futjen e Gareth Bale, Nacho dhe Marco Asensio, por nuk solli ndryshime në rezultat.
Kjo qe fitorja e parë e Ernesto Valverdes në El Clasico, si trajner i Barcelonës.
Messi ka ngritur kuotën e golave në 15 këtë stinor në La Liga, ndërsa Suarez ka shënuar të dhjetën.