TOP 5 NDESHJET E FUNDJAVËS
Nga Emirates në Bernabeu e Juventus Stadium
Shkruan: LUAN MORINA
22 December, 2017 @13:02
Fundi i vitit 2017 na vjen me ndeshjet më interesante të ligave kryesore europiane, ku në qendër të vëmendjes mbetet El Clasicoja.
Lexim të këndshëm!
Arsenal – Liverpool (e premte, ora 15n9)
Ajo çfarë i dallon Arsenalin dhe Liverpoolin nga Manchesterët, sidomos City është qasja e Kloppit dhe Wengerit në mënyrë klasike ndaj formacionit. Të dy bëjnë zëvendësime, rotacione të panevojshme e të çuditshme që u humbin pikë ndaj Southamptonit e WBA-së.
Për këtë arsye që të dyja maksimumin këtë vit e kanë kualifikimin direkt në Ligën e Kampionëve. Do të jetë interesante të shohim se si do të nisin këtë maratonën e fundvitit me katër xhiro të Premier League. Mu në këto dy javë matet aftësia e përdorimit të krejt skuadrës. Rotacioni aq i dashur i Wengerit.
Real Madrid – Barcelona (e shtunë, ora 1)
Herën e fundit, në dy ndeshjet e Superkupës së Spanjë, Reali ka dominuar në tërësi Barcelonën. Mund të themi se ato dy ndeshje kanë përmbushur në total namin që ka kjo përballje në botën e futbollit.
Nuk besoj që Reali guxon të luaj aq lirshëm pasi një humbje eventuale do të fundoste shpresat për ndonjë rikthim senzacional. Në anën tjetër kundërsulmet e Barcelonës mund të shfrytëzojnë dobësinë kryesore të Realit, e që pikërisht është mbrojtja nga kundërsulmet.
Napoli – Sampdoria (e shtunë, ora 3)
Sampdoria nuk po kalon ditët më të mira pas startit të furishëm. Katër humbje dhe një barazim në pesë ndeshjet e fundit në Serie A kanë ardhur që nga lëndimi i Karol Linnetyt. Polaku ka qenë pjesë e njërës prej tresheve mesfushore më të mira në Serie A këtë sezon. Angazhimi i Barrettos nuk ka ndihmuar Sampdorinë.
Edhe Napoli ka vuajtur nga lëndimet. Nuk është asgjë Miliku sa është mungesa e Ghoulamit. Improvizimi me Hysajn në të majtë nuk është zgjidhje për një ekip kampioni sidomos kur kemi parasysh që në anën tjetër është Maggio. Një tjetër fakt bezdisës është mungesa e golave të Mertensit e Callejonit. Asnjëri nuk ka shënuar në Serie A që nga tetori!
Burnley – Tottenham (e shtunë, ora 6e30)
Kur jemi tek Premier League, ekipet me ekipe jo të thella vuajnë në këtë fazë që përcakton në një mënyrë edhe lëvizjen në pranverë. Burnley ka humbur Bradyn dhe Lowtonin së fundmi, por së paku Barnes ka gjetur golin.
E Tottenhamin vetëm mësyshi ka mundur ta godas nga ndeshjet me Realin. Kanë pasur disa humbje të panevojshme në fund të muajit të kaluar. Kjo tregon që akoma nuk janë të pjekur për titull. Gjithashtu shfaq edhe mizorinë që mund t’i ndodh një ekipi që provon të luaj futboll të hapur ndaj Manchester Cityt dhe të mos shfrytëzoj të gjitha rastet e shënimit.
Juventus – Roma (e shtunë, ora 15n9)
Një tjetër sulmues në krizë në Serie A është Edin Dzeko. Boshnjaku ka shënuar vetëm një herë që nga java e parë e tetorit për Romën. Humbja e pikëve nga Chievo e Genoa nga paaftësia për të konkretizuar rastet mund t’u kushtojë në fund me titull. E udhëtimet në Juventus Stadium gjithnjë kanë qenë të zorshme për Romën nën Spallettin.
Do të jetë interesante të shohim se si do të përballet Eusebio Di Francesco me Allegrin. Në anën tjetër Juventusi është stabilizuar pas humbjeve nga Sampdoria dhe Lazio.