PRISHTINA - LLAPI

Foto: FC Prishtina
Pranvera në Prishtinë: 5 ndeshje, 5 fitore!
6 March, 2021 @14:58
17 ndeshje rresht pa humbje për Prishtinën në futbollin kosovar!
Skuadra e radhës që u mposht nga Prishtina ishte Llapi, që pësoi nga 2-0 (Besnik Krasniqi 30’, Alban Shillova 34’) në kryeqytet. Në 5 takimet e luajtura në ligë gjatë stinorit pranveror, skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani i ka të gjitha fitore!
Fitorja prishtinase erdhi falë dy golave brenda 4 minutave, gola që u shënuan nga Besnik Krasniqi (30’) e Alban Shillova (34’).
Krasniqi, që po kalon formë fantastike momentalisht, shënoi me kokë pas krosimit nga Leonit Abazi, e Shillova ishte ai që me golin e dytë e dërgoi Prishtinën në pushim me epërsi të dyfishtë.
Për t’u përmendur nga pjesa e parë është edhe lëndimi i Mentor Zhdrellës te Llapi. Dikur futbollisti më i mirë në Kosovë u lëndua në minutën e 18’ dhe u detyrua të zëvendësohet nga Edon Sadriu.
Gjatë pjesës së dytë, portat mbeten të paprekura dhe ndeshja në fund u mbyll 2-0.
Fitorja e shënuar sot bën që Prishtina të jetë mbi Dritën në renditje dhe vetëm 1 pikë larg Ballkanit lider, kurse Llapi vazhdon ta rrezikojë mbijetesën në elitë.