PAS NDESHJES

Sokoli: Ishim konfuz, rezultati na dërgon në luftë për mbijetesë
6 March, 2021 @17:08
Trajneri me shumë përvojë në futbollin e Kosovës, Bylbyl Sokoli, pas barazimit befasues të ekipit të tij KF Gjilani ndaj Arbërisë sot në Gjilan, ka thënë se ky rezultat dërgon ekipin në luftë për ekzistencë në Superligë.
Sokoli, që ende s’ka shijuar fitore në pjesën pranverore të stinorit me të kuqtë nga qyteti i Gjilanit ka thënë se presioni i madh për rezultat bëri që lojtarët të jenë konfuz në disa momente.
“Luajtëm me shumë presion në këtë ndeshje dhe kjo na shkaktoi konfuzitet në disa momente. Kemi probleme me futbollistë të lënduar, duke nisur nga reparti defanziv. Bëmë ndryshime në formacion dhe duhet të improvizojmë për ndeshjet e radhës,” ka thënë fillimisht ai për të vazhduar.
“Ky rezultat s’na konvenon aspak. Rezultati na dërgon në luftë për ekzistencë. Duhet të shikojmë daljen nga kjo situatë,” ka thënë Sokoli pas barazimit 1-1 sot.
Gjilani, falë pikëve nga pjesa pranverore e stinorit është në pozitë të katërt, por tashmë më afër pjesës së rrezikshme sesa kreut.
Ekipi nuk ka shënuar fitore në asnjërën nga 5 ndeshjet e pranverës.