REFERIMI
Premier League ndryshon rregullat
27 July, 2016 @10:42
17 ditë para fillimit të sezonit 2016/2017 të Premier Leagues, përmes një komunikimi zyrtar Premier Liga ka shpalosur 95 rregullat e reja që do të jenë ndryshe nga vitet e tjera dhe do të jenë në fuqi me të filluar sezoni i ri.
Prej tyre 7 janë cilësuar si më kryesore:
1. Fillimi i ndeshjes
Siç u pa edhe në EURO2016, në të ardhmen nuk ka nevojë që dy lojtarë të qëndrojnë tek rrethi i mesit të fushës për ta filluar ndeshjen. Pra, nëse dëshiron, skuadra mund ta nis lojën nga mesi i fushës me vetëm një lojtar, i cili e jep topin prapa për skuadrën e tij.
2. Kartonët e kuq para ndeshjes
Që nga sezoni i ri, gjyqtari lejohet që të shpërndajë kartonë të kuq edhe para fillimit të ndeshjes. Në rast të ndonjë incidenti në zhveshtore, në tunel apo në ‘warm up’ të lojtarëve, gjyqtari mund të përjashtoj ndonjë lojtar apo trajner edhe para se të filloj ndeshja.
3. Përfundon ‘dënimi i trefishtë’
Deri në këtë vit, lojtari që ka shkaktuar ndërhyrje të palejueshme kur ka qenë i fundit në mbrojtje, është larguar me karton të kuq, është suspenduar dhe për skuadrën kundërshtare është dhënë një penallti. Ky është quajtur ‘dënimi i trefishtë’. Kurse nga sezoni i ardhshëm dënimi do të zvogëlohet, me penalltinë që do të ekzekutohet, por me lojtarin që do të dënohet vetëm me karton të verdhë e jo me përjashtim.
4. Për lëndimet
Kur një lojtar pëson lëndim, ai do të marrë shërbimin mjekësor në fushë e jo jashtë fushës. Kjo për arsye se shpesh skuadrat pësojnë gol duke qenë në inferioritet numerik, përderisa njëri nga lojtarët po merr kujdesin mjekësor jashtë vijave të fushës dhe skuadra kundërshtare ka një lojtar më tepër në fushë.
5. Goditja e penalltive
Nëse një lojtar e ndal hapin gjatë goditjes së penalltisë, ai do të ndëshkohet me karton të verdhë dhe topi do t’i dhurohet skuadrës tjetër, pra goditja e penalltisë për skuadrën do të anulohet. Lojtarët duhet të mos ndalen gjatë vrapimit për ta gjuajtur penalltinë, përndryshe penalltia anulohet.
6. Loja me dorë
Loja me dorë do të ndëshkohet me karton të verdhë vetëm në rastet kur e ndal një kundërsulm/rrezik për gol të skuadrës tjetër.
7. Sjellja e lojtarëve
Kur shumë lojtarë e sulmojnë referin për shkak të mospajtimit për ndonjë vendim të caktuar, pason ndëshkimi. Gjyqtari do t’i ‘zverdhë’ të gjithë ata që e sulmojnë atë, ndërsa në rast të ofendimeve të vazhdueshme, pason përjashtimi me karton të kuq.